Kemi hyrë në 10 ditëshin e fundit të muajit të Ramazanit, një kohë që për çdo besimtar nënkupton më shumë devotshmëri ndaj Krijuesit të Gjithësisë.
Natyrshëm në këtë kohë të paqes, rritjes së besimit dhe qetësisë shpirtërore, lind pyetja… po në epokën e errët të ish regjimit komunist, si arrinin njerëzit të kryenin agjërim?
Në Podcast me Elvisin, rrëfejmë për historinë interesante të një besimtari të moshuar dhe si ai ia kishte dalë të mbajë agjërim edhe në kohën kur Shqipëria u bë shtet ateist i vetëm në botë.
Kam patur fatin të takoj dikë, në fillimet e mia të fesë. Ka qenë një burrë i moshuar, sa herë kalonte afër xhamisë, edhe nuk dëgjonte as mirë më, thoshte përherë Allah…
Ka qenë njëherë në cepin e xhamisë. E pyes. Si ia ke bërë me agjërimin në kohën e Enverit?
“Gjithë jetën kam agjëruar”, më tha.
-Po si ia ke bërë me jetën e përditshme, me punën?
“E gjeta një zgjidhje”
Më shpjegoi… Gjithë vitin unë haja karamele. I kërcëllisja gjithë kohën nëpër gojë, aqsa më quanin njeriu i karameleve. Kur vinte muaji i ramazanit vendosja një gurë dhe e rrotulloja nëpër gojë e dhëmbë. Njerëzit kujtonin se kisha karamele, nuk më pyesnin.