“S’ka kuptim jeta pa dritën e syve” Nëna përgjërohet: Ju lutem, më ndihmoni të shpëtojmë jetën e djalit

Se çfarë mban në zemër kjo nënë e di veç shpirti i saj dhe Krijuesi i Gjithësisë… sepse kjo nënë që derdh lot me dënesë, prej 11 vitesh dërgon të birin talasemik për të marrë gjak.

Kurse tanimë, djalin po rrezikon ta humbë. Një formë e rrallë e leuçemisë ka prekur Nuredinin e saj 12 vjeçar… e zemra e kësaj nëne, nuk mundet të mbajë më.

“Kam një jetë të tërë që po vuaj… Nuk e prisja se do të arrinte deri këtu. Kësaj radhe është me të vërtetë shumë rëndë. (qan). Djali kërkon një transplant palce. Nëse nuk ikën jashtë shtetit, djali rrezikon jetën (qan)…”-thotë nëna e Nuredinit.

12 vjeçari ka nevojë urgjente për kurim dhe një transplant të palcës kurrizore, ndërhyrje e cila kryhet vetëm jashtë shtetit. Familja vetë është e pamundur, s’mundet dot të shërojë djalin. E teksa nëna e Nuredinit vazhdon të zhytet në dëshpërim, mbledh aq forcë dhe zë, sa për të kërkuar ndihmë. Ajo i bën thirrje shqiptarëve, nënave, baballarëve e kujtdo që mund ta dëgjojë…

“Ai është jeta ime, drita e syve të mi. Nuk ka kuptim jeta ime, pa djalin… ju lutem, të gjithë shqiptarëve, kudo që janë… në këtë muaj Ramazani, të më ndihmojnë sadopak, me aq mundësi sa të kenë, të shpëtojmë jetën e djalit (qan)”-thotë nëna e Nuredinit.