Pas 5 orësh orvatje, momenti kur dy turistet gjermane shpëtohen nga ‘Syri i Ciklopit’

Dy turiste gjermane të moshave 28 e 31 vjeçe janë shpëtuar nga autoritetet pasi qëndruan për afro 5 orë të bllokuara në vendin e quajtur ‘Syri Ciklopit’ në periferi të Tiranës.

Për shkak të terrenit të vështirë malor dhe errësirës, turistet kanë humbur orientimin dhe rrugën. Shërbimet e komisariatit nr.1 të kryeqytetit së bashku me grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit, kanë bërë të mundur nxjerrjen e dy turisteve nga vendi ku kishin mbetur të bllokuara.

“Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se 2 turiste gjermane kishin mbetur të bllokuara në vendin e quajtur “Syri i Ciklopit”, për shkak të terrenit të veshtirë malor dhe mungesës së orientimit në errësirë, është organizuar menjëherë puna për gjetjen e tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe grupi alpin i Forcës Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Alpinizmit, pas gati 5 orësh kërkime, deri pas mesnatës, kanë bërë të mundur gjetjen dhe shpëtimin e 2 turisteve gjermane, 28 vjeçe dhe 31 vjeçe, të cilat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.”-njoftuan autoritetet.