Lidhi të fejuarën me litarë që të mos dilte nga shtëpia, arrestohet 31 vjeçari shqiptar në Itali

Një 31 vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë në Firence, pasi autoritetet janë përballur me alarmin që ka ngritur e fejuara e këtij të fundit.

Vajza u ka thënë karabinierëve se i fejuari e kishte lidhur me litarë dhe e kishte kyçur në shtëpi. Ajo ka mundur të lirohet nga litarët dhe të dalë nga banesa përmes dritares. Vajza e ka denoncuar rastin tek karabinierët.

Media italiane shkruan se kur e reja është paraqitur përpara autoriteteve shoqërohej nga një kalimtar që e kishte parë duke qarë dhe në gjendje jo fort të mirë.

Ajo ka treguar se muajt e fundit i fejuari e kishte rrahur për shkak të xhelozisë. Kur karabinierët kanë shkuar në banesën e çiftit, kanë gjetur aty litarin me të cilin ishte lidhur vajza.

31 vjeçari është arrestuar disa orë më vonë dhe do të përballet me akuza të rënda penale. Vajza ende në gjendje shoku, u përcoll për vizitë mjekësore në spital.