Misteri i zhdukjes së Franco Bonzit, italianit që u mashtrua nga një profil fals “Dua Lipa” në rrjetet sociale

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Italinë fqinje, atje ku një burrë 59 vjeçar i quajtur Gianfranco Bonzi është zhdukur në mënyrë të mistershme prej mëse dy javësh.

Media italiane shkruan se burri është zhdukur që më datë 23 mars, ndërsa familja e tij nuk k më asnjë kontakt me të. Rasti u bë i ‘famshëm’ pasiqë rezulton se burri ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me një grua në rrjetet sociale, e cila përdorte emrin e këngëtares së njohur shqiptare, Dua Lipa.

Italiani mesa duket besonte se po fliste realisht me këngëtaren, ndërsa personi pas profilit në rrjetin social, i kishte kërkuar 5 mijë euro. Bonzi ia kishte nisur këto para përmes një transferte bankare.

Një hetim ka nisur mbi rastin, ndërsa emisioni italian “Kush e ka parë”, ka mundur të kontaktojë me personin që fshihej pas profilit fals në rrjetin social ‘Facebook’. Gazetari i emisionit ka folur me një grua. Kur ai e ka pyetur këtë të fundit nëse kishte dijeni për Bonzin, ajo i është përgjigjur se nuk dinte gjë. Më pas i ka kërkuar gazetari 50 euro…

Emisioni italian ka arritur të zbulojë se gruaja misterioze me profilin ‘Dua Lipa’, jeton në Siçili dhe është e ditëlindjes 1966, pra afro 58 vjeçe.

Nga ana tjetër, policia e cila ka nisur hetim, ka nxjerrë në dritë një shkrim të të zhdukurit, në një grup në rrjetin social Facebook.

Bonzi shkruante… “Mirëmbrëma, ky është postimi im i fundit këtu dhe gjithashtu një nga veprimet e fundit në jetën time. Shkas është një zhgënjim në dashuri që nuk e përballova dot”.

Krahas këtij mesazhi, Bonzi ka bashkëangjitur imazhin e një zemre të thyer ku shkruhet “Game Over” (Loja mbaroi).

Policia vijon hetimet dhe siç shkruan media italiane, gjasat janë që Gianfranco Bonzi të jetë dashuruar me “Dua Lipën” e rrjetit social, por kur kjo e fundit është zhdukur pasi i ka marrë paratë, Bonzi mund të ketë përjetuar zhgënjim të fortë apo poshtërim.

Deri me tani nuk ka ende të dhëna për vendodhjen e 59 vjeçarit nga Milano, ndërsa familja I frikësohet më të keqes