Kosovë: Burri vret ish- gruan dhe plagos vëllain e saj të mitur, zbardhet dinamika e ngjarjes

Një ngjarje tragjike ndodhi të premten në Ferizaj të Kosovës, aty ku një grua mbeti e vrarë pranë ambienteve të qendrës për Punë Sociale të qytetit.

36 vjeçari me inicialet V.A ka qëlluar me armë në drejtim të ish bashkëshortes dhe vëllait të kësaj të fundit. Gruaja ka humbur jetën, ndërsa i vëllai ka mbetur i plagosur.

Policia tanimë e ka arrestuar autorin e dyshuar si dhe ka dhënë këtë njoftim për median.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.

Drejtoresha e qendrës për Punës Sociale, aty dhe ku ndodhi ngjarja, ka treguar për interes të medias se viktima kishte dërguar fëmijën në qendër rreth orës 13:00, që ish i shoqi ta takonte. Autori dyshuar ka marrë të birin dhe më tutje është larguar në banesë me të. Pas disa orësh, babai e ka dërguar sërish në këtë qendër djalin, që ta merrte e ëma. Në këtë moment, rreth orës 15:00 dy ish bashkëshortët janë konfliktuar mes tyre.

“Ka bisedu me menaxherën e rastit të tyre, i ka tregu që është duke pas probleme me ish – bashkëshorten, po i kthehet ajo prap, e diskutime të çiftit që ndodhin zakonisht. Edhe ka shku prap në shtëpi sepse në ora 15:00 ka pas me rikthy djalin në Qendër për Punë Sociale që me e mbajtë nëna, me marrë ajo. Kur ka dalë ai poshtë, e ka taku ish-bashkëshorten e tij, realisht partneren, sepse nuk kanë kurorë dhe të dy bashkë, janë ardhë në Qendrën për Punë Sociale dhe aty kanë fillu me bërtitë, me e fy bashkëshortja, bashkëshortin dhe ai e ka nxjerrë alltinë dhe e ka gjujtë. I plagosuri është vëllai i gruas”, ka treguar drejtoresha e qendrës.

E ndjera rezulton të ishte 21 vjeçe, ndërsa vëllai i saj është i mitur, 15 vjeçar. Fatmirësisht ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.” – njoftoi policia më herët.