I mori jetën ish të shoqes, 36 vjeçari përballet me akuzat, prokuroria: E qëlloi disa herë në kokë

Gjykata Themelore e Ferizajt pritet t’i  caktojë masën e arrestit me burg me afat 30 ditor Valon Aliut, të riut i cili ditën e djeshme i mori jetën ish të shoqes 21 vjeçe dhe plagosi vëllanë e kësaj të fundit, një djalë 15 vjeçar.

Prokuroria ka shpjeguar në detaje dinamikën e ngjarjes, duke argumentuar se autori i dyshuar e ka qëlluar disa herë me armë nënën 21 vjeçe, në pjesën e kokës.

Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Në lidhje me rastin ka folur dhe Kryetari i Komunës Agim Aliu. Sipas tij, viktima dhe autori dyshuar po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, kur autori ka qëlluar me armë mbi viktimën dhe vëllain e saj. Madje autori ka kërcënuar me armë dhe punonjësen e institucionit aty.

Versioni i autorit të dyshuar të krimit dhe avokatit të tij mbrojtës

Gjatë seancës gjyqësore, 36 vjeçari ka thënë se ai është konfliktuar me të ndjerën për shkak të gjendjes shëndetësore të djalit të tyre.

“Djali ishte në gjendje të keqe” ka thënë Valon Aliu duke pretenduar e kur ai i ka kërkuar të ndjerës t’i dërgonte një fotografi të tij, kjo e fundit i ka thënë “për inat s’ta çoj”.

“Unë i kam thënë se duhet me ma çu se djali i jem është”, ka thënë Aliu tutje në gjykatë.

36 vjeçari më tutje ka treguar se ai ka qëlluar fillimisht në drejtim të të miturit 15 vjeçar (vëllai i të ndjerës, i cili u plagos në krah) dhe më pas dy herë në drejtim të 21 vjeçares.

Më herët, avokati mbrojtës i autorit ka deklaruar se klienti i tij është penduar dhe se mes tij e viktimës ka patur një mosmarrëveshje një natë para se të ndodhte krimi.

“… tani e ka kuptuar dhe është penduar për veprën e kryer. Në këtë pikë e kundërshtojmë kërkesën e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. Një natë më parë, para se të ndodhë ngjarja, i pandehuri ka kërkuar që ta shoh djalin përmes telefonit, e ndjera nuk ia ka mundësuar, e ka fyer, e ka injoruar dhe e ka poshtëruar me fjalë të ndryshme”, ka deklaruar avokati.