15 vjeçarja me leuçemi mbulon në lot shtratin e spitalit… nëna e babai përgjërohen për ndihmë

Edhe pak ditë, Rosela mbush 15 vjeç. Në vend të çasteve të lumturisë, haresë e gëzimit mes familjarëve, shoqeve e shokëve, Rosela është shtruar në spitalin e kryeqytetit… ndërsa në trupin e saj zhvillohet një sëmundje e rëndë.

Rosela është diagnostifikuar së fundmi me leuçemi akute. Mjekët thonë se situata është e rëndë, pasi sëmundja është shfaqur mjaft agresive.

Vetëm pak kohë më parë, sytë e Roselës ishin pasqyrë e gjallërisë së saj, ëndrrave të një fëmije, bukurisë së moshës… por sot sytë e Roselës duken të zbrazur. Teksa kokën e ka zënë në shtratin e spitalit, lotët kanë mbetur i vetmi ngushëllim i momentit.

Nëna e babai i Roselës janë të shkatërruar. Familja jeton në një fshat të Korçës. Ata e kanë thjesht të pamundur të përballen me kostot financiare që kërkon kurimi i vajzës. Të dëshpëruar, ata i janë drejtuar për ndihmë bamirësve përmes “Shqiptarët për Shqiptarët”.