Pejë: Burri vret të shoqen, nënë e tre fëmijëve… Prokurori: Kemi të bëjmë me vrasje makabre

Një grua e nënë e tre fëmijëve është vrarë këtë të martë në Pejë, i dyti femicid që ndodh në harkun kohor të 5 ditëve në Kosovë.

Dyshohet se Edmond Lajqi ka qëlluar bashkëshorten e tij me armë zjarri në ambientet e shtëpisë së tyre. Gruaja e identifikuar si Gjyljeta Ukella, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Trupi i pajetë i 43 vjeçares është dërguar për autopsi, ndërsa autori dyshuar është vetëdorëzuar pranë autoriteteve.

Nga vendi i ngjarjes, prokurori i çështjes Ersan Qavolli tregoi për median se kemi të bëjmë me një “vrasje makabre”, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën sesi është kryer krimi.

“Sot rreth orës 08:00 e kemi pranuar  një informacion për kryerjen e një vepre penale, vrasje e rëndë. Menjëherë së bashku me kryeprokurorin dhe zyrtarë e tjerë policor kemi dalur në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për një vrasje makabre që ka ndodhur në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë”, ka thënë prokurori Qavolli.

Prokurori i krimeve të rënda ka pohuar se autori i dyshuar ka patur precedentë të mëparshëm penalë, njëri syresh për akuzën e dhunës në familje në vitin 2022.

“Kemi informata që i njëjti ka pasur vepra të dhunës në familje për një rast të mëhershëm në vitin 2022. Fëmija sigurisht që janë tek familjarët. Ata kanë pasur tre fëmijë. Duhet të jenë rreth moshës 45 vjeçare. Është dorëzuar vet menjëherë pas kryerjes së veprës penale”, ka thënë Qavolli. 

Kujtojmë se pak ditë më parë në Ferizaj, një nënë 21 vjeçare u vra po me armë zjarri nga ana e ish partnerit 36 vjeçar