“Pasnesër mbushte 43 vjeç, bënte tre punë për të mbajtur familjen” Vrasja e gruas nga i shoqi, rrëfehet familjarja

Gjyljeta Ukella u vra nga i shoqi mëngjesin e kësaj të marte në qytetin e Pejës, në atë që prokurori i rasti e konsideroi si një vrasje makabre. Në media të Kosovës u raportua se Edmond Lajqi, bashkëshorti i viktimës, e ka qëlluar të shoqen pas kokës me armë zjarri, teksa nëna e tre fëmijëve po pinte kafen e mëngjesit në banesë.

Pas krimit të rëndë, burri është vetëdorëzuar në polici. Tre fëmijët e çiftit, dy vajza dhe një djalë, janë dërguar tek prinderit e viktimës (gjyshërit).

Në lidhje me rastin ka folur një familjare e Gjyljetës, e cila ka treguar për “Klan Kosovën” se për dy ditë, viktima mbushte 43 vjeç. Familjarja mandej ka shtuar se autori i dyshuar i krimit nuk punonte prej kohësh dhe ishe viktima ajo që kryente punë, deri në tre syresh, për të mbajtur familjen ekonomikisht në këmbë.

“Gjyljeta ka qenë femër shumë e zonja ka pasur tre punë dhe është mundu me të gjitha forcat që ta mbajë familjen. Ajo e ka mbrojtur familjen, fëmijët dhe burrin dhe në fund u sakrifikua vetë për të gjithë.

Bashkëshorti ka qenë pa punë, për një kohë të gjatë ka qenë në depresion, Gjyljeta e ka mbajt afër, është mundu me mjeku me i qëndrua pranë, me dashtë. Ajo ka dy vajza dhe një djalë, pasnesër do t’i mbushte 43 vjet. Nuk kam koment, ma rëndë nuk ka ku me shku për nënën, babanë e motrat e tre fëmijët që ka lënë.

Gjyljeta sot në mëngjes është zgjuar e ka pi kafen e mëngjesit dhe ka dashur të shkoj në punë. Fëmijët janë te prindërit e Gjyljetës. Jemi të gjithë të shokuar, sepse ka qenë një grua e mrekullueshme dhe shumë e fortë”, u shpreh familjarja e së ndjerës.

Ajo më tej shtoi se Gjyljeta pavarësisht vuajtjeve nuk u largua asnjëherë nga bashkëshorti i saj.

“Edi Lajqin, Gjyljeta e deshi shumë, dhe nuk deshi asnjëherë me ju nda. Por, ai që e deshi shumë ja mori jetën”, u shpreh familjarja mes lotësh.