Pamje video, përmbytje të mëdha e të pazakonta në Dubai

Më shumë se sasia totale vjetore e reshjeve të shiut ka rënë brenda 12 orëve në Dubai, duke shkaktuar një prej përmbytjeve më të mëdha në dekadat e fundit në qytetin në mes të shkretëtirës në Emiratet e Bashkuara.

Sipas meteorologëve, u regjistruar më shumë se 140 milimetër shi në harkun kohor të 12 orëve, duke bërë që Dubai të përmbytet. Videot e prezencës së madhe të ujit në aeroportin ndërkombëtar të Dubait kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa fluturimet e shumta u anuluan. Në videot e regjistruara, avionët dukeshin si ‘varka’ të cilat çanin ujin dhe erën e fortë.

Veç aeroportit, rrugë, godina e biznese u përmbytën, duke shkaktuar bllokime e humbje të mëdha materiale.

Ndërkohë në Omanin fqinj, në skajin lindor të Gadishullit Arabik, autoritetet thanë se kanë humbur jetën të paktën 18 njerëz si pasojë e përmbytjeve të fuqishme dhe shirave të dendur.