7 ditë i zhdukur, vijojnë hetimet për gjetjen e 3 vjeçarit të rrëmbyer nga gjyshërit, detajet e reja

Vijon tanimë prej 7 ditësh kërkimi për gjetjen e djali 3 vjeçar të Ile Gjunit, nënës e cila denoncoi vjehrrin e vjehrrën se i rrëmbyen fëmijën një javë më parë.

Policia arrestoi gjyshin Rexhep Gjuni si dhe vëllain e bashkëshortes së saj ditën e djeshme (18 prill), ndërsa në kërkim është shpallur gjyshja e vogëlushit, Bahrije Gjuni. Kjo e fundit besohet se e ka fshehur nipin 3 vjeçar të cilin refuzon ta dorëzojë tek e ëma.

Më herët gjyshi i arrestuar, tregoi para hetuesve se ai nuk ka ndërmend të tregojë ku është djali. Sipas tij nusja i ka ‘kërcënuar’ se nuk do ta shikonin më nipin pasi ajo do të largohej jashtë shtetit.

“Nusja na kërcënoi se nuk do ta shikonim me nipin pasi do largoheshin së bashku me të jashtë shtetit. Prandaj edhe ne vepruam në këtë mënyre. E kemi dritën e syve, nuk jetojmë dot pa të”.-ka thënë 60 vjeçari para policisë.

Nëna e fëmijës ka treguar se debatet me vjehrrin e vjehrrën nisën vitin e kaluar kur i shoqi humbi jetën në një aksident rrugor. Vetë babai i të ndjerit, ka treguar se ai dhe e shoqja nuk mund të rrinë dot pa nipin.

“Me humbjen e djalit tonë në aksident, nipi zinte vendin e të dyve: edhe të tijen si nip po nëpërmjet pranisë së tij shohim edhe djalin tonë që s’jeton më. Me nusen nisen debatet që ditët e para që na vdiq djali. Donte të ikte në shtëpinë e prindërve të saj, pa mbush as 40 ditë që bashkëshorti i kishte vdekur. Edhe me pas kemi pasur kontradikta për të marrë djalin (nipin) pasi nuk donte qe ne ta takonim. Pastaj na e lejonte ta takonim shume rrallë. Kur kërkonim qe ta merrnim në shtëpi që ta mbanim pak orë të çmalleshim, na thoshte merreni edhe këtë radhë se s’keni për ta parë më pasi do ta marre e do iki jashtë shtetit të vazhdojmë jetën tonë. Ajo mund të vazhdoj jetën e saj se nuk ka të drejtë ta ndaloj askush po nuk ka të drejtë të na mohojë faktin për të takuar nipin. Nga frika se nuk do ta shikonim me nipin, u organizuam ta merrnim dhe ta mbanim vete. Kemi marrë parasysh gjithçka. Nuk tregoj ku ndodhet djali. Me bëni çfarë të doni”.-ka thënë i moshuari i arrestuar.

Policia vijon kërkimet për gjetjen e 3 vjeçarit. Deri më tani janë kryer kontrolle nëpër pikat kufitare për të parë nëse të moshuarit e kanë larguar djalin jashtë shtetit. Nga hetimet e deritanishme nuk rezulton se fëmija ka kaluar kufijtë e vendit. Kësisoj kërkimet dhe hetimet janë zgjeruar në zonën e Krumës. Policia ka kontrolluar afro 15 banesa ku mendohej se mund të strehohej gjyshja me nipin.

Dyshimet janë se e Bahrije Gjuni dhe vëllai tjetër i saj Flamur Selaj, mund të jenë fshehur në një banesë të marrë me qira.

Nëna e fëmijës, Ile Gjuni, ia dorëzoi djalin gjyshërve më 13 prill, siç bënte çdo fundjavë pas vdekjes së të shoqit. Në orët e drekës, nëna ka shkuar të marrë djalin në zonën e ish-kënetës në Durrës, ndërsa vjehrri i ka treguar se fëmijën nuk do t’ja sjellë më. Ditë më vonë  gruaja ka denoncuar vjehrrin e vjehrrën në polici si dhe ka dalë përpara medias duke bërë publik rastin.