Dy pitbullë i marrin jetën foshnjes 15 muajshe… nëna luftoi me qentë por s’mundi të shpëtojë fëmijën

Një foshnje 15 muajsh ka humbur jetën si pasojë e sulmit të dy qenve pitbull. Lajmi ka tronditur mbarë Italinë, ndërsa ngjarja ndodhi në Eboli të Salernitanos. Vogëlushi ishte me të ëmën e cila është përleshuar me qentë por nuk ka mundur të largojë dot fëmijën nga sulmi i pitbullëve.

Nëna vetë ka mbetur e plagosur në pjesë të ndryshme të trupit dhe është dërguar me urgjencë në spital. Vogëlushi i saj ndërkohë u shpall i vdekur nga mjekët e urgjencës që mbërritën në vendin e ngjarjes.

Siç shkruan media italiane, foshnja ishte në krahët e nënës së tij. Dy qentë kanë hyrë në oborrin e pasëm të banesës ku ndodheshin nëna, vogëlushi e daja i tij. Pitbullët duket se fillimisht kanë sulmuar fëmijën, ndërsa më tutje nënën e tij dhe dajën.

Nëna është përleshur me qentë, por nuk ka mundur dot të shkëpusë të birin nga kafshët. Rezulton se qentë ishin pronë e një fqinji me të cilin nëna e fëmijës dhe i shoqi kishin njohje e miqësi. Sipas asaj që thonë mediat italiane, fqinjët ishin larguar nga banesa por qentë i kishin lënë aty.