Hyn në fuqi amnistia penale, sa persona pritet të lirohen

Këtë të mërkurë ka hyrë në fuqi ligji për amnistinë penale prej të cilit pritet të pëfitojnë 1100 të dënuar me burgim. 700 prej tyre do të lirohen sot, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit.

Nga amnistia do të përfitojnë edhe 2700 persona në shërbim prove. Fjala është për burrat që u ka mbetur për të vuajtur më pak se 4 vjet burgim dhe grave e të miturve që u kanë mbetur 5 vite.

Veç këtyre kategorive, nga amnistia përfitojnë gratë mbi 50 vjeçe dhe burrat mbi 60 vjeç, përfshi këtu edhe të dënuarit që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.

700 të dënuarit që do të dalin nga qelitë këtë të mërkurë janë dënuar për vepra të lehta penale si shpërndarja e lëndëve narkotike, falsifikimi apo mashtrimi. Ata që nuk preken nga amnistia janë personat e dënuar për vepra të rënda penale si krime kundër njeriut, mashtrime me pasoja të rënda, si dhe të gjithë personat e hetuar nga SPAK e dënuar nga GJKO.