Ishte 12 dhjetori i vitit të kaluar kur një 27 vjeçar shqiptar i quajtur Leonard Farruku, u gjet i pajetë në bordin e një anije maune e quajtur “Bibby Stockholm” në Britani. Leonardi po priste shqyrtimin e kërkesës së tij për azil dhe ishte dërguar pikërisht në anijen në fjalë. Por i riu u gjend i vdekur dhe siç besojnë autoritetet, mendohet se i ka dhënë fund jetës.

Një histori e dhimbshme, e cila duket se është rikthyer sërish në vëmendje të medias britanike fill pas publikimit të një raporti.
BBC ka publikuar një artikull, me disa detaje me të vërtetë trishtuese, sesi azilantët e më konkretisht Leonard Farruku, janë tallur e përqeshur nga stafi i anijes maune në fjalë.
Detajet i ka nxjerrë një ish punonjëse e anijes, e cila ka punuar atje si pastruese. Kjo e fundit, së bashku dhe me tjerë azilkërkues që kanë qëndruar në “Bibby Stockholm”, kanë treguar se anija që mbante azilantë e emigrantë të paligjshëm ishte njëlloj si një burg.
Siç pretendon ish pastruesja, anëtarë të stafit të anijes (zyrtarë britanikë) kanë bërë shaka e kanë qeshur mes tyre kur u mësua vdekja e 27 vjeçarit shqiptar, duke thënë “një gojë muslimane më pak për të ushqyer”.

Ish punonjësja ka shtuar se është ndjerë “e neveritur” dhe se një atmosferë e tillë mbizotëronte botëkuptimin e shumë punonjësve atje.
Siç raporton BBC-ja, ajo tregoi: “Nisa të mendoj, pse të vendosësh këta njerëz në krye (të punës) kur ata kanë këto pikëpamje e paragjykime e duhet të mbikqyrin qindra burra që kanë ardhur (në Britani) për një jetë më të sigurt?
Pastruesja tregoi më tutje se për shumë kohë ajo nuk ka qenë e aftë të raportojë për incidentin, i cili së fundmi u bë publik gjatë një mbledhje parlamentare të mbajtur për të dëgjuar raportin e disa grupeve që janë kundër ekzistencës së anijes maune që mban emigrant e azilantë. Grupet në fjalë përfshijnë “Care4Calais”, “Stand Up To Racism” dhe “The Portland Global Friendship Group.”
Sipas raportit në fjalë, is pastruesja ishte paralajmëruar dhe më pas shkarkuar nga puna sepse ajo fliste me rezidentët (emigrantët). Mbi këtë çështje, ajo tha se “më dhanë një paralajmërim verbal që unë nuk duhet të sillesha mirë apo miqësisht me azilantët. Pas asaj, punova dhe një turn dhe më tutje nuk më thirrën më në punë”

Veç gruas, shumë emigrantë të tjerë që kanë qëndruar në anijen maune, kanë treguar (rrëfimet janë dokumentuar në raport) se atje ata ishin njëlloj sikur në burg. Një prej këtyre emigrantëve e përshkroi qëndrimin në anije sikur të ishte një kopsht zoologjik.
“Ndihesha i vëzhguar gjatë gjithë kohës… ndonjëherë më dukej vetja si një kafshë në një kopsht zoologjik”
“Kur iknin dhe hynim (në anijen maune) na skanonin”-ka thënë një tjetër emigrant.
“Një ditë teksa po rrija tek restoranti thashë se ushqimi nuk ishte i mirë. Një roje sigurie më afrua e më tha mbylle gojën dhe ulu”-tregoi një azilant tjetër.
Më shumë se 500 burra qëndrojnë në anijen tre katëshe në pritje të aplikimit për azil. Si përgjigje ndaj raportit, Home Office tha se nuk i njeh si të vërteta këto pretendime të ngritura nga organizat civile e humanitare.
“Bibby Stockholm” është pjesë e planit të qeverisë britanike për të ulur shpenzimet e mëdha me qëndrimin në hotele. Në anije ka procese rigoroze të mbrojtjes. Banorët kanë akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe social, duke përfshirë mbështetjen e shëndetit mendor.”-tha Home Office (ekuivalenti i Ministrisë së Brendshme)
Burimi: BBC /Përshtati: FCh.al