U gjet biçikleta e veshjet pranë rezervuarit në Prrenjas, polumbarët e RENEA-s nisin kërkimet për 58 vjeçarin

Një 58 vjeçar i larguar që mëngjesin e djeshëm nga banesa e tij, dyshohet se është (vetë)mbytur në rezervuarin e Prrenjasit. Dyshimet i ka ngritur kushëriri i tij, i cili rreth orës 01:00 të natës ka njoftuar autoritetet se ai dhe familjarë të tjerë kishin gjetur rrobat e biçikletën e 58 vjeçarit pranë rezervuarit.

Policia dhe familjarët e të zhdukurit kanë nisur kërkime përgjatë rezervuarit, ndërsa në vendin e ngjarjes janë nisur dhe polumbarët e RENEA-s.

“Rreth orës 01:00, të mëngjesit të sotëm, shtetasi Y. M. ka njoftuar sallën operative, se dyshonte se kushëriri i tij, shtetasi Xh. D., 58 vjeç, banues në fshatin Katjel, ishte vetëmbytur në rezervuarin e Prrenjasit, pasi në afërsi të rezervuarit, ai dhe familjarë të tjerë kishin gjetur veshjet dhe biçikletën e 58-vjeçarit. Gjithashtu, shtetasi Y. M. ka njoftuar se 58-vjeçari ishte larguar nga banesa, mëngjesin e djeshëm.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë, së bashku me familjarë, kanë nisur kërkimet përgjatë rrjedhës së rezervuarit. Gjithashtu, me qëllim gjetjen e trupit të shtetasit Xh. D., janë nisur polumbarët e RENEA-s.

Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit.”-njoftuan autoritetet.