Shkaktoi aksidentin me 5 viktima në Qafë Muzinë, e reja përfiton nga amnistia dhe lë qelinë

Rexhina Çelhaka është një nga të dënuarat të cilat kanë përfituar nga amnistia penale, duke lënë qelinë ditën e djeshme si shumë të dënuara të tjera. E reja e cila u shpall e fajshme për aksidentin tragjik me 5 viktima në Qafë Muzinë, kishte kryer afro 3 vite burgim dhe ka përfituar lirimin falë amnistisë.

Në ambientet e jashtme e ka pritur i ati me të cilin ajo është përqafuar mes lotëve.

“O shpirti im, o jetë, mbaroi”, dëgjohet t’i thotë i ati, teksa përqafon vajzën e tij.

Ishte 26 gushti i vitit 2021 dita kur e reja (në atë kohë 22 vjeçe) teksa drejtonte makinën me shpejtësi tej normave të lejuara, u përplas me një furgon me pasagjerë. Shoferi Bardh Prodo, i cili udhëtonte prej vitesh çdo ditë nga Tirana drejt Sarandës, ra në greminë kur e reja i preu rrugën në Qafë Muzinë.

Për pasojë shoferi 51 vjeçar ndërroi jetë, e së bashku me të dhe 4 nga 5 pasagjerët në mjetin e tij. Humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Drita Korçari, 72 vjeçe dhe Fiqiri Korçari, 77 vjeç, banues në Tiranë. Po ashtu dhe një çift me origjinë nga Ukraina,Tetiana Fediaieva, 48 vjeçe, Olesandr Fediaieva, 53 vjeç, banues në Ukrainë. 

Trupat e të ndjerëve u nxorrën nga automjeti falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse të cilët përdorën gur fresibël për të çarë automjetin e shkatërruar. E vetmja e mbijetuar ishte Greta Gaberdini, 25 vjeçe, e cila doli e gjallë nga makina e rënë në humnerë.