“S’mund të jemi më vasalë të SHBA-ve… Europa do të vdesë nëse nuk nis të prodhojë armatime”

Poshtë harqeve të pikturuara të Universitetit të Sorbonës, Presidenti i Francës Emanuel Macron përcolli konceptet dhe vizionin e tij për krijimin e një Europë autonome.

Që në krye të herës, Macron u shpreh se “Europa jonë sot, është e mortale dhe mund të vdesë”.

“Europa mund të vdesë dhe kjo varet vetëm nga zgjedhjet tona”-shtoi ai më tutje.

Macron propozoi se ka ardhur koha që unioni t’i largohet pozicionit të ‘vasalitetit’ ndaj Shteteve të Bashkuara kur fjala vjen për mbrojtjen. Duke i paraprirë një zgjedhje të mundshme të Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, Macron u shpreh se Europa duhet të vendosë sot që të fuqizojë industrinë e saj të armatimeve dhe mbrojtjes.

“SHBA-të kanë dy prioritete: të parën veten, Shtetet e Bashkura dhe të dytën, çështjen e Kinës. Europa nuk është më një prioritet gjeopolitik.”-tha Macron.

“Si mundet ne të ndërtojmë sovranitetin tonë, autonominë tonë, nëse nuk marrim përgjegjësinë e zhvillimit të industrisë tonë mbrojtëse?”-ka shtuar më tutje Presidenti francez.

Tanimë prej dy vitesh liderët kryesorë të Europës tentojnë të ruajnë vëmendjen e perëndimit tek lufta në Ukrainë. Këtë vit ka zgjedhje në Bashkimin Europian dhe duket se Macron po tenton të diktojë një axhendë të caktuar për kursin e unionit europian për 5 vitet e ardhshme.

Gjatë një fjalimi që zgjati plot 2 orë, Presidenti i Francës propozoi krijimin e një akademie për trajnimin e ushtarakëve në grada të larta si dhe detajimin e prodhimit industrial në të gjithë unionin europian.

“Duhet të prodhojmë më shumë, duhet të prodhojmë më shpejtë dhe duhet të prodhojmë si Europian”-tha Macron teksa fliste për kapacitetet ushtarake të kontinentit të vjetër.

E duket se këto deklarime të Presidentit të Francës do të ngrejnë vetullat e disa prej aktorëve kryesorë globalë.

“Rregullat e lojës kanë ndryshuar… nëse Europa nuk adaptohet, do të mbetet pas”-ka thënë së fundmi Presidenti francez.