Mbrëmjen e të dielës një 44 vjeçar shqiptar i quajtur Agustin Kaza u qëllua 4 herë me pistoletë në një lokal në rrethinat e Brukselit, nga një person i maskuar.
Ngjarja ndodhi në Schaarbeek, në lokalin e quajtur “Te Xhoni”, aty ku 44 vjeçari ishte ulur për një kafe. Pasi qëlloi 4 herë shqiptarin, autori largohet me shpejtësi. Kaza aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, në koma. Siç raportoi media belge, shqiptari ka marrë plagë në kokë e kraharor.
Pista e hetimit

Duket se hakmarrja është pista kryesore e hetimit për atentatin ndaj Agustin Kazës. 44 vjeçari është vëllai i Martin Kazës, i cili është dënuar me 22 vite burg në mungesë në vitin 2011 nga Gjykata e Kurbinit. Në vitin 1997 Agustin Kaza i mori jetën dy vëllezërve Agustin e Dod Gjini. Martin Kaza u arrestua në vitin 2016 në Britaninë e Madhe dhe u ekstradua një vit më vonë në atdhe.
Zanafilla e këtij zinxhiri të hakmarrjes duket se e ka pikënisjen në vitin e largët 1994, kur Dod Gjini i mori jetën vëllait të Martin e Agustin Kazës, komisarit Ndue Kaza. Ky i fundit ishte komandant i policisë kriminale të Mirditës dhe vrasja e tij erdhi si pasojë e një përplasje mes dy grupeve rivale atje.
Pikërisht për shkak të pistës së hakmarrjes, autoritetet belge besojnë se dhe autori që kreu atentatin mund të jetë shqiptar. Ky i fundit mbetet ende në arrati.