Policia britanike bastis banesën ku punonte, 28 vjeçari gjendet i fshehur në… dollap

Policia britanike ka vënë në pranga një 28 vjeçar shqiptar i cili është gjendur i fshehur në dollapin e një banese të përshtatur për kultivimin e kanabisit. Banesa në qytezën e Grimbsy-t u bastis gjatë orëve të natës nga oficerët e policisë. 2 dhoma ishin përshtatur për të kultivuar kanabisin, me afro 50 bimë në total.

Gjatë operacionit, oficerët në banesë dëgjuan një zhurmë. Nuk vonoi shumë dhe i fshehur në dollap u gjet një 28 vjeçar shqiptar, i cili u arrestua.

Kur i riu u mor në pyetje, ai deklaroi se u kishte para borxh personave që e kishin sjellë ilegalisht në Britani. 28 vjeçari kishte për detyrë vetëm të ujiste bimët dhe qëndronte në banesë prej 2 muajsh.

Gjykata e dënoi me 19 javë burg si dhe u shqyrtua mundësia e deportimit të tij drejt Shqipërisë.