Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë, 9 muaj kalim i lehtësuar në Morinë

Këtë të mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Shqipërisë në lidhje me lehtësimin e kalimit përmes pikës kufitare të përbashkët.

Tanimë qytetarët e Shqipërisë e Kosovës do të mund të kalojnë me procedura të përshpejtuara përgjatë 9 muajve në vijim dhe në fundjava e festave.

Më herët kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte caktuar në 4 muajt e verës.

Ndërkohë këtë të mërkurë, që në orët e para të mëngjesit në pikën e Morinës ka patur një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova të cilët i janë drejtuar Shqipërisë.

Vetëm në orët e para të ditës së sotme, nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë.