Çifti i të moshuarve gjenden të pajetë në banesë nga fqinjët në Dropull, detajet

Një çift të moshuarish janë gjetur të vdekur brenda banesës së tyre në fshatin Bodrishtë të Dropullit. Kanë qenë fqinjët ata që kanë alarmuar policinë, pasi kanë gjetur Kosta e Kleoniqi Ilian, të dy në të 80-tat, të pajetë në banesë.

Hetuesit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe nga këqyrja e deritanishme, rezulton se në trupat e çiftit të të moshuarve ka shenja të dhunës. Dyshohet se ato janë shkaktuar me mjete të forta.

Por ndryshe nga shenjat mbi trupat e të ndjerëve, në banesë nuk ka asnjë shenjë të thyerjes që mund të nënkuptonte një grabitje të shkuar keq. Nga këqyrja tërësore e shtëpisë, nuk janë gjetur shenja të thyerjes apo çrregullime të orendive.

Hetuesit vijojnë punën për të zbuluar se kush i ka vrarë të moshuarit.

“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K.I, 84 vjeç dhe K.I, 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore. Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive”, njoftoi policia.