Babai pamëshirshëm detyron të birin 6 vjeçar të vrapojë në pistë… vogëlushi ndërroi jetë prej sforcimit

Një baba 31 vjeçar nga New Jersey akuzohet për vrasjen e të birit 6 vjeçar, duke e detyruar këtë të fundit të vrapojë papushim në një pistë vrapimi, vetëm sepse ai mendonte se i biri… ishte “shumë i shëndoshë”.

Një video e ngjarjes së dhimbshme u publikua së fundmi në median amerikane, duke tronditur të gjithë opinionin publik. Në pamjet e bëra publike gjatë seancës gjyqësore të radhës, shihet sesi 31 vjeçari Christopher Gregor, e detyron të birin e mitur të sprintojë në pistë. 6 vjeçari rrëzohet për shkak të shpejtësisë së caktuar prej të atit në pistë. Pavarësisht kësaj, 31 vjeçari e kap me forcë të birin dhe e vendos në pistë për të vrapuar.

Shpejtësia e madhe e pistës dhe fakti që 31 vjeçari vijoi të rrisë shpejtësinë e madje edhe ngritjen për lart të pistës, u bënë shkak që vogëlushi të shtrohet në spital ditën e nesërme. I mituri ishte zgjuar me të vjella, humbje të ekuilibrit dhe të tjera shenja shqetësuese.

Mjekët vendosën të bëjnë një skaner por gjatë procedurës, vogëlushi pësoi një krizë. Pavarësisht të gjitha orvatjeve të mjekëve, 6 vjeçari ndërroi jetë.

Autopsia tregoi më vonë se 6 vjeçari kishte pësuar traumë në zemër e mëlçi për shkak të sforcimit të jashtëzakonshëm.

Në gjykatë 31 vjeçari përballet me akuza të rënda dhe me dënimin me burgim të përjetshëm.

Burimi: New York Times/ Përshtati: FCh.al