Me shpejtësi të lartë, godet disa mjete dhe i merr jetën burrit në biçikletë, dalin pamjet e aksidentit në Durrës

Janë bërë publike pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë në lagjen 14 të Durrësit, aty ku një ditë më parë rreth orës 17:30, një automjet i mori jetën një 50 vjeçari që udhëtonte me biçikletë.

I identifikuar nga autoritetet me inicialet L.Z, i riu udhëtonte me shpejtësi të lartë në rrugë me një automjet të tipit ‘Mercedes Benz’. Shoferi ka humbur kontrollin prej shpejtësisë dhe ka përplasur 50 vjeçarin me biçikletë si dhe një tjetër qytetar që udhëtonte me motor.

Më tutje për shkak të inercisë, ‘Benzi’ ka dalë në anën tjetër të rrugës, ku është përplasur fillimisht me bordurat e objektet anësore të një ofiçine. Makina është ngritur në ajër, ka përplasur një automje të parkuar dhe më tutje ka ndaluar tek objekti i ofiçinës.

Fill pas ngjarjes së rëndë, shoferi makinës ka braktisur vendin e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 17:30, në lagjen 14/1 Durrës, një automjet me drejtues shtetasin L. Z, është përfshirë në një aksident me një motomjet me drejtues shtetasin Sh. S, dhe një biçiklist shtetasin F. Gj.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi F.Gj, rreth 50 vjeç.

Drejtuesi i automjetit shtetasi L. Z, është larguar nga vëndi i ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.