Nëna me tre fëmijët dyshohet se janë hedhur në Bunë, gjendet trupi i njërit fëmijë, arrestohet babai

Trupi i pajetë i një vajzë 9 vjeçare është gjetur në ujërat e lumit Buna, ndërsa kërkimet vijojnë për gjetjen e tre trupave të tjerë, atë të nënës së viktimës dhe dy fëmijëve të saj të tjerë, në moshat 8 e 3 vjeç.

Hetimet e deritanishme diktojnë se ngjarja e ka pikënisjen nga dhuna e vazhdueshme në familje dhe tradhëtia. Për këtë autoritetet kanë arrestuar babain e fëmijëve, 31 vjeçarin Ergys Arrazi.

Ishte ky i fundit i cili më datë 3 maj denoncoi tek autoritetet për zhdukjen e të shoqes Alma Arrazi e cila kishte marrë me vete tre fëmijët, përkatësisht në moshat 9, 8 dhe 3 vjeç. 31 vjeçari Ergys Arrazi deklaroi para autoriteteve se e shoqja me fëmijët ishin larguar një ditë më parë, pra më 2 maj.

Policia nisi kërkimet, por mbrëmjen e djeshme hetimet morën tjetër rrjedhë. Rreth orës 22:00 të natës, disa peshkatarë pikasën rastësisht në ujërat e lumit trupin e pajetë të 9 vjeçares, vajzës së madhe të familjes Arrazi.

Me vijimin e hetimeve dhe pyetjen e familjarëve, hetuesit kanë mësuar mbi dhunën e vazhdueshme që 31 vjeçari ushtronte ndaj të shoqes, një akuzë të cilën e ka vënë në dijeni të autoriteteve motra e Alma Arrazit.

Rezulton se Alma Arrazi kishte mësuar së fundmi se i shoqi e tradhëtonte po ashtu dhe me një grua tjetër. Sipas një dëshmie të marrë nga autoritetet, 31 vjeçari Ergys Arrazi ia tregonte të dashurën përmes celularit dhe të bijës 9 vjeçe.

Nga marrja në pyetje e familjarëve, rezulton po ashtu se ditën që Alma Arrazi është zhdukur me fëmijët, ajo ka pirë një kafe me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit. Të dyja janë ndarë më tutje, ndërsa kunata ka thënë se nuk ka parë asgjë të dyshimtë.

Hetuesit dyshojnë se nëna e tre fëmijëve ka marrë fëmijët dhe bashkë me ta është hedhur nga Ura e Bunës. Polumbarët vijojnë ende kërkimet për gjetjen e nënës dhe dy fëmijëve.

Nga ana tjetër, 31 vjeçari Ergys Arrazi akuzohet për shkaktim të vetëvrasjes. Ai nuk ka pranuar akuzën.  Ai ka mbajtur qëndrim të ftohtë edhe kur është informuar për gjetjen e trupit të pajetë të të bijës dhe mundësisë se dhe e shoqja e dy fëmijët e tjerë mund të jenë të mbytur.

Njoftimi i policisë:

Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje.

Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.

9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.

Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.

Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.