Vrasja e të moshuarve në Dropull, i dyshuari mohon akuzën, e shoqja shpërthen në lot: U çmenda, më mbaroi jeta

Thoma Mastora, 69 vjeçari i dyshuar si autori që i mori jetën dy të moshuarve Kosta e Kleoniqi Ilia në fshatin Bodrishtë të Dropullit, mohon akuzën se është ai vrasësi i 80 vjeçarëve.

“Nuk jam unë personi që kam kryer krimin, kërkojeni diku gjetkë” -ka thënë 69-vjeçari para hetuesve dhe më pas ka ‘kyçur’ gojën.

Nga hetimet e kryera rezulton se 69 vjeçari ka patur një konflikt të momentit me Kosta Iliasin. Dy burrat janë përleshur me njëri- tjetrin dhe fillimisht besohet se ka qenë 84 vjeçari që e ka goditur me shkop 69 vjeçarin, pasi kanë pirë kafe në banesën e viktimës. Ky i fundit është kundërpërgjigjur duke e goditur për vdekje të moshuarin më sëpatë, ndërsa më tutje edhe të shoqen e tij, Kleoniqi Ilian.

Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sendi i  dyshuar i krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës si dhe tjera prova që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.

Hetuesit besojnë se ngjarja ka ndodhur afro 36 orë pasi çifti i të moshuarve u gjetën të pajetë nga një fqinje e tyre, e cila u njoftua nga motra e viktimës pasi ajo (Kleoniqi Ilia) me të shoqin nuk po i përgjigjeshin telefonatave.

Lotët e bashkëshortes së autorit të dyshuar të krimit

E shoqja e autorit të dyshuar, ka rrëfyer në një intervistë për TCh se u trondit kur mësoi se i shoqi është i dyshuari kryesor i krimit që pllakosi mbi fshatin e vogël në Devoll. Duke vënë duart në kokë dhe ulur në hyrje të banesës së saj, e moshuara thotë se edhe jeta e saj tanimë mori fund.

“Nuk kam çfarë iu them tjetër, kërkoj ndjesë! Nuk kam çfarë të bëj më, më thoni edhe juve çfarë të bëj? Mua ai më mbaroi tani, nuk më del inati, me sëmundjet e mia, shqetësimet e mia. Nuk ka më asnjë punë me mua”– tha e moshuara.

Ajo tregon më tutje se prej policisë ka mësuar se i shoqi kishte marrë dhe një kredi, gjë të cilën ajo nuk e dinte. E mbytur nga lotët, e moshuara kërkon ndihmë pasi ka frikë se pas kësaj ngjarje të rëndë, do të humbasë edhe shtëpinë.

“Pse të marrë kredi pa më pyetur mua. Çfarë faji kam unë, çfarë të bëj, të vras veten? Çfarë të bëj, nuk mendoi, as për mua, as për djalin. Çfarë të bëj unë? Ku kam unë fuqi? Ku të mbytem?

Kërkoj ta di tek cila bankë ka marrë kredi apo kush e ka ndihmuar. Do më lërë pa shtëpi. Nuk e di se sa lekë ka marrë kredi, u çmenda fare. Nga policia e mora vesh.

Unë të takoj atë? Për çfarë, çfarë t’i them, që morë në qafë dy pleq?”-tha me moshuara.

Së fundmi e moshuara tregoi se ajo kishte marrë lekë borxh tek familjarët e saj, pasi i shoqi kishte kërkuar të blinte një makinë.

“1 milionë e gjysmë i kam dhënë unë për makinë se u çmend donte makinë. I kam marrë te motra ime dhe ia kam dhënë.”-tha e moshuara mes dëshpërimit e lotëve.