Përfundojnë kërkimet në Bunë, gjendet dhe trupi i Alma Arrazit

Kanë përfunduar tanimë kërkimet, polumbarët kanë gjetur dhe trupin e pajetë të 39 vjeçares Alma Arrazi, nëna e cila dyshohet se u vetëhodh në lumin Bunë së bashku me tre fëmijët e saj të mitur.

Tanimë i mbetet drejtësisë dhe hetimeve që të zbardhë ngjarjen më të rëndë të këtij viti, një tragjedi e vërtetë me një bilanc të dhimbshëm, tre fëmijë të moshave 9,8 e 3 vjeç dhe nëna e tyre.

Ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik nis me denoncimin më 3 maj nga ana e kryefamiljarit, i cili shkoi në polici për të bërë të ditur se e shoqja 39 vjeçare është zhdukur së bashku me fëmijët një ditë më parë (2 maj).

Autoritetet nisën kërkimet, pasi pak para se të zhdukej, Alma Arrazi kishte takuar kunatën për një kafe dhe i kishte treguar se do të ikte në Tiranë tek i vëllai. Kërkimet u ndërprenë mbrëmjen e 4 majit, kur një peshkatar pikasi trupin e pajetë të vajzës së madhe të familjes, 9 vjeçaren.

Prej aty autoritetet nisën hetimet dhe arrestuan kryefamiljarin, Erdgys Arrazi. Ky i fundit do të gjykohet për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.

Hetuesit zgjeruan punën për të mbërritur tek e vërteta, ndërsa polumbarët nisën punën ditën e dielë për të gjetur tre trupa të pajetë, atë të vajzës 8 vjeçe, djalit 3 vjeçar dhe nënës së tyre, Almës.

Deri më tani, autoritetet policore kanë dalë në konkluzionin se 31 vjeçari Erdgys Arrazi kishte ushtruar dhunë ndaj të shoqes, një pretendim që e gjithë familja e kësaj të fundit thotë se është fakt i njohur prej tyre. Një tjetër pretendim, i motrës së Alma Arrazit, është fakti se e motra kishte mësuar dhe për tradhëtinë e të shoqit me një vajzë të re në moshë, një 18 vjeçare.

Policia thotë se ka mbledhur prova mbi këto pretendime, por është fakt se e ndjera Alma Arrazi nuk e ka denoncuar asnjëherë tek autoritetet dhunën nga i shoqi.

Nga ana tjetër, familja Arrazi pretendon se çifti shkonin mirë së bashku, derisa Alma nisi të shfaqë probleme të shëndetit mendor. Sipas tyre, ajo merrte ilaçe antidepresivë, por edhe ky pretendim deri më tani nuk rezulton të jetë i faktuar në institucionet mjekësore të vendit (kartela etj) apo tek mjeku i familjes.

E marta e gjetjes së trupit të pajetë të Alma Arrazit, ishte  dhe dita kur Erdgys Arrazi u paraqit përpara gjykatës për marrjen e masës së arrestit. Gjykata vendosi masën burg pa afat për 31 vjeçain. Po të martën më 7 maj, u gjet dhe trupi i pajetë i fëmijës së vogël të familjes, djalit 3 vjeçar.

Ditën e hënë(6 maj) polumbarët arritën të gjejnë trupin e pajetë të vajzës 8 vjeçe, ndërsa kërkimet u zgjeruan deri në Malin e Zi.

Të gjithë trupat e pajetë janë gjetur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në distanca të ndryshme nga njëri tjetri.

E teksa familjet presin të dërgojnë në banesat e fundit arkivolet e dy fëmijëve dhe të ëmës, tanimë ajo që mbetet për t’u gjetur, është e vërteta… sesi një nënë mundi të hidhet në Bunë së bashku me fëmijët e saj, e nëse babai i këyre fëmijëve të ndjerë, është fajtori apo shkaktari i kësaj tragjedie. Fjalën e fundit, e ka drejtësia