I mori jetën vogëlushes 7 vjeçe në Potam, prokuroria kërkon 15 vite burg për ish policin Arjan Tase

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar në pretencën e saj që ish-oficeri i policisë Arjan Tase, të dënohet me 15 vite burgim për vrasjen e 7 vjeçares Jonada Avdiu, ngjarje e cila ndodhi në gusht të vitit 2022 në plazhin e Potamit në Himarë.

Skafi qe drejtonte ish oficeri

Prokuroria e akuzon ish- oficerin për vrasje me dashje (në formën e dashjes indirekte). Sipas konkluzioneve të arritura nga organi i akuzës, Tase ka qenë duke drejtuar skafin në bregun e detit, atje ku ka zbritur disa persona. Në momentin kur ai ka tentuar të kthehet, mjeti lundrues ka marrë shpejtësi dhe ka goditur vajzën e mitur, duke e prerë më tutje me helikat e motorit. 7 vjeçarja ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Arjan Tase

 “Në lidhje me të pandehurin Arjan Tase, nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte”, njoftoi Prokuroria e Vlorës.

Ne te majte momenti kur ish oficeri perplaset me nje prej pushuesve; ne te djathte babai i viktimes

Më 1 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Vlorës e ndau dosjen e Tases nga ajo e disa ish- punonjësve të tjerë të policisë, të cilët gjykohen për ‘shpërdorim të detyrës’.

Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdhe. Ata prej vitesh jetonin në Angli. Vajza e tyre u përplas fillimisht nga pjesa ballore e skafit ndërsa trupi  saj është prerë më tutje nga helikat e motorit, duke bërë që e mitura të humbë jetën në vend. Në ato momente, 7 vjeçarja ishte pranë të atit Në kundërshtim me çdo rregull dhe normë, ish oficeri Tase kishte hyrë me skafin pak metra larg bregut të detit, në mesin e pushuesve që laheshin në det.

Nje kukull e lene ne plazhin e zbrazur te Potamit, nje dite pas tragjedise

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Vlorës

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin Arjan Tase i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. 

Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Tase dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri Arjan Tase, ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura Jonada Avdia ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin Arjan Tase, nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri Arjan Tase, ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.