“Babi im” Djali qan pranë të atit të pajetë, kush është shqiptari 32 vjeçar i ekzekutuar në Greqi

Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Athinë, ndërsa viktimë mbeti një 32 vjeçar shqiptar i identifikuar si Roan Brahimi.

I riu kishte shkuar në Athinë për të takuar të shoqen dhe të birin për ‘Pashkët’ e në momentin kur është vrarë, ka qenë në makinë, ulur në sediljen e shoferit.

Foto e publikuar ne median greke ku dallohet viktima, 32 vjeçari

Dy persona të maskuar që udhëtonin me motor i janë afruar me shpejtësi dhe njëri prej tyre e ka qëlluar me armë të paktën tre herë. Sipas medias greke e cila i referohet burimeve nga hetimet, 32 vjeçari është qëlluar me një plumb në kokë dhe dy në trup.

Të shumtë kanë qenë dëshmitarët okularë, që kanë dëgjuar dhe parë momentet e krimit. Një sipërmarrës që ka dyqanin e tij pak metra larg vendit të ngjarjes, tregoi për median lokale se kur dëgjoi të shtënat, fillimisht iu dukën si fishekzjarre.

“Dola para dyqanit tim dhe pashë një grua (bashkëshortja viktimës) që hapi derën e makinës dhe bërtiste “e hëngrën” (vranë), diçka e tillë. Nuk vura re nëse kishte gjak. Pas makinës, 10 metra më tutje, ndodheshin 2 fëmijë të mitur të cilët i larguan”, tregon dëshmitari.

Një tjetër dëshmitare, një grua, tregoi për median greke se shqiptarin e vranë në sy të fëmijës së tij të mitur. Ajo tregon se i bija kishte qenë duke luajtur me djalin e viktimës.

 “Vajza ime e vogël po luante me djalin e tij. Dëgjuam të shtënat dhe vrapova të shikoja nëse po ndodhte diçka apo ishte lojë. Vogëlushi po qante dhe bërtiste ‘babi im babi im’…”-rrëfeu gruaja.

Autorët janë larguar nga skena e krimit pa lënë gjurmë, ndërsa hetuesit grekë i konsiderojnë ata vrasës profesionistë.

“Vrasësi ishte profesionist. Ekzekutoi objektivin me pistoletë me disa të shtëna nga afër. Ka shumë mundësi që të ketë ardhur në Greqi vetëm për të kryer atentatin”, tha një oficer për median greke.

Bashkeshortja e viktimes (majtas); makina ku u ekzekutua Brahimi (djathtas)

Nga ajo që është zbuluar deri më tani nga autoritetet, shënjestër e atentatit ka qenë vetëm 32 vjeçari. Mbi të shoqen nuk është qëlluar pavarësisht se ajo ka qenë pranë viktimës dhe ka mbetur e plagosur lehtë.

Ngjarja në fakt ka ndodhur në lagjen ku jetonte gruaja me të birin, në Byron. Viktima kishte udhëtuar drejt Athinës nga Dubai (Emiratet e Bashkuara) për të parë të birin e të shoqen.

Kush është Roan Brahimi

Viktima rezulton të ketë patur një të shkuar të pasur kriminale. Roan Brahimi, i njohur dhe si Sidorel Prendi është i përfshirë në një seri ngjarjesh në Shqipëri. 32 vjeçari vinte nga fshatin Pllanë i Lezhës.

Roan Brahimi u shpall në kërkim për t’u pyetur për vrasjen e Brilant Martinajt (kushëriri Ervis Martinajt) dhe dy të tjerëve, atentat i cili ndodhi më 17 korrik të vitit 2022.

32 vjeçari po ashtu u shpall në kërkim për atentatin e 22 korrikut 2022 ku u qëlluan me breshëri automatiku Ylli Brahimi e Klisman Preçi. Të dy këta të fundit ktheheshin në shtëpi me një makinë të blinduar në Milot, kur janë gjendur përballë breshërisë së armëve me plumba blindshpues për afro 3 minuta rresht. Preçi ndërroi jetë, ndërsa Brahimi i shpëtoi atentatit.

Policia kërkoi 32 vjeçarin pasi dyshonte se ai kishte patur një konflikt me Ylli Brahimin, që e kishte çuar në një pritë të ngritur nga njerëzit e Martinajt

Në vitin 2021 Roan Brahimi u shpall në kërkim për përfshirje në një akt kriminal në një lokal në Zejmen të Lezhës. Autoritetet dyshonin se ai dhe dy të tjerë hynë në lokal të armatosur, në kërkim të pronarit si dhe duke shkaktuar terror. Si autorë të kësaj ngjarje veç 32 vjeçarit, u shpallën në kërkim Ramazan Rraja e Alesio Dobrozi.

Më herët në vitin 2020, lokali në pronësi të babait të Roan Brahimit u qëllua me breshëri plumbash. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar prej kësaj ngjarje.

Afro 10 vite më parë, dy djem të xhaxhait të 32 vjeçarit u vranë në një atentat në afërsi të Urës së Milotit.