Itali: 44 vjeçari shqiptar aksidentohet me motor, godet së bashku me kolegun murin e godinës aty pranë

Një 44 vjeçar shqiptar i identifikuar si Lorenc Koleci ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në Italinë fqinje. 44 vjeçari udhëtonte me motor në Fermo së bashku me një mik të tij, kur papritur ka humbur kontrollin e motomjetit në një kthesë.

Media italiane shkruan se përplasja ka qenë e ashpër. 44 vjeçari ka humbur kontrollin në një kthesë me dishezë, duke goditur fillimisht disa pilota të ulëta në anë të trotuarit. Pas goditjes së tyre me motor, Koleci së bashku me kolegun e tij 39 vjeçar janë shkëputur nga motori dhe janë përplasur me murin e një godine aty pranë.

Përplasja ka rezultuar fatale për 44 vjeçarin shqiptar, ndërsa mjekët konstatuan se ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Kanë qenë banorët aty pranë të cilët kanë lajmëruar ambulancën. 39 vjeçari u dërgua me ambulancë dhe më tutje me helikopter drejt spitalit. Siç shkruan media italiane, gjendja e tij është e rëndë.

Rruga u bllokua për mëse një orë ndërsa hetuesit mblodhën të gjitha provat e nevojshme për të zbardhur dinamikën e aksidentit. Nuk rezulton që aksidenti të jetë shkaktuar si pasojë e përplasjes apo evitimit të ndonjë mjeti tjetër.

44 vjeçari ishte punëtor dhe i njohur në komunitetin e Fermo-s.