Askush nuk është interesuar t’i marrë, detaje të reja mbi vdekjen misterioze të dy ukrainaseve në Tiranë

Antonina Kosachenko e Anastasi Lopukohova quhen dy shtetase ukrainase të cilat u gjetën disa ditë më parë të pajeta në një banesë që kishin marrë me qira në Tiranë.

Hetuesit tanimë besojnë se dy vajzat e ndjera i përkisnin një rrjeti të eskortave në Shqipëri. Mbi vdekjen misterioze të dy të rejave është pyetur një tjetër shtetase ukrainase e quajtur Yeva Vorona, e cila ka pretenduar se dy vajzat i ka takuar në Malin e Zi dhe i ka ftuar ato të vinin në Shqipëri.

Dy viktimat kishin hyrë në Shqipëri në fund të muajit prill. Telefonat e vajzave janë përcjellë në policinë shkencore, ndërsa në lidhje me shkakun e vdekjes së dy të rejave, mendohet se ato kanë konsumuar barna të fuqishme si tramadoli dhe ksanaksi. Më shumë detaje pritet të zbulohen nga analiza e mjekësisë ligjore.

Trupat e dy të rejave vijojnë të mbahen në morg. Deri më tani askush nuk është interesuar për t’i marrë. Të ndjerat u gjetën më 10 maj nga shoqja e tyre në një apartament të marrë me qira në Rrugën e Dibrës.