Shqiptari përleshet me një person në lokal, kur vjen patrulla e policisë kafshon njërin prej oficerëve

Një shqiptar është bërë kryefjalë në një qytezë të Italisë fqinje, pasi ka sulmuar oficerët e policisë që kishin mbërritur për të shuar përleshjen, që ai kishte patur me një tjetër person.

Në vend të qetësisë, oficerët e policisë janë pëballur me sjelljen agresive të shqiptarit, i cili madje ka kafshuar një polic.

Siç raporton media italiane, ngjarja ka ndodhur në Civitanova në komunën e Markes në verilindje të shtetit fqinj. Policia ishte sinjalizuar për një sherr mes dy personave rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të dielës, në një lokal.

Me të shkuar në vendin e ngjarjes, patrulla gjeti aty vetëm shtetasin shqiptar, i cili ishte i lënduar dhe në gjendje të acaruar. Kur ka parë që oficerët i janë afruar, shqiptari papritur ka sulmuar njërin prej tyre, duke tentuar ta qëllojë me shkelma. Shqiptari ka mundur të kafshojë oficerin duke e lënduar. Ky i fundit u detyrua të shkojë në spital për t’u mjekuar, ndërsa kolegët e tij arrestuan forcërisht shqiptarin.

Media italiane raporton se shtetasi në fjalë është i njohur për autoritetet për episode të tjera të sjelljes së dhunshme. Rezulton se shqiptari nuk ka një banesë fikse në Itali, ndërsa tanimë pritet që të përballet me drejtësisë.

I pyetur për identitetin e tij, ai nuk u ka treguar autoriteteve as emrin.