I mori jetën oficerit 28 vjeçar në Fier: Ky është autori  i shpallur në kërkim, është 23 vjeçar

Një oficer i forcave ‘shqiponja’ i quajtur Novruz Cenalia u vra këtë të hënë në fshatin Baltëz të Fierit, pasi u qëllua për vdekje nga një i ri 23 vjeçar

Viktima, 28 vjecari Norvruz Cenalia

Autori dyshuar është identifikuar si Azgan Mernica, i cili rezulton të jetë banues në fshatin Sulaj, disa qindra metra larg fshatit Baltëz, atje dhe ku ndodhi vrasja.

Oficeri 28 vjeçar ka qenë jashtë shërbimit në momentin kur është vrarë nga 23 vjeçari.  Cenalia ishte nisur për në punë pasi këtë të hënë do të shërbente në turnin e dytë.

Policia ka publikuar foton e të dyshuarit si dhe ka kërkuar ndihmën e publikut për informacione që do të mund të çojnë në arrestimin e 23 vjeçarit.

Autori dyshuar i krimit

“Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica (në foto), 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro“, tha policia.

Deri më tani një përplasje e çastit rezulton të jetë shkaku i vrasjes së 28 vjeçarit. Një fakt të tillë e ka theksuar dhe Drejtori i policisë së Fierit, Lorenc Panganika.

“I ndjeri shërbente në policinë e Fierit prej 4 vitesh, prej 1 viti në FNSH. Autori është Azgan Mërnica banues në Sulaj, po punojmë të kapim autori. I bëjmë thirrje autorit të vetë dorëzohet pasi veprimi i policisë do të jetë i aspër. Pista kryesore është për motive të çastit. Ska lidhje me probleme hasmërie. Makina e autorit është gjetur. Ka qenë një konflikt i çastit.”- tha Panganika.

Më herët në lidhje me rastin u diskutua dhe për mundësinë e një hakmarrje, pasi në vitin 1997 babai i viktimës, me profesion oficer policie, i ka marrë jetën në kushtet e vetëmbrojtjes fqinjit të tij në Has. Që prej asaj kohe familja emigroi nga vendlindja për t’u vendosur në Fier. Autori po ashtu rezulton të jetë me origjinë nga Hasi. Gjithsesi një pistë e tillë mbetet ende e paverifikuar nga autoritetet që deri më tani kanë si prioritet ndalimin e autorit.