Ndërron jetë njeriu i parë që iu nënshtrua një transplanti të veshkës së derrit

Richard Slayman, 62 vjeçari i cili u bë personi i parë në botë tek i cili u transplantua një veshkë e modifikuar gjenetikisht e një derri, ka ndërruar jetë dy muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Lajmin e përcolli spitali përgjithshëm i Masaçusets (SHBA) i cili njoftoi se nuk ka ende të dhëna nëse vdekja e 62 vjeçarit erdhi prej transplantit.

I ndjeri prej vitesh vuante nga sëmundje që ia kishin shkatërruar veshkat. Veç sëmundjes së veshkave, 62 vjeçari vuante dhe nga hipertensioni dhe diabeti.

Disa vite më parë (2018) i ndjeri i ishte nënshtruar një transplanti të një veshke njerëzore, por organi kishte dështuar së funksionuari 5 vite pas operacionit.

I ndjeri e kreu ndërhyrjen për vendosjen e veshkës së derrit më 16 mars dhe që prej asaj kohe, mjekët pohuan se ai nuk kishte më nevojë për dializë dhe se veshka punonte siç duhet.

Në të shkuarën ka patur orvatje dhe një seri me transplante të organeve të derrit të modifikuara gjenetikisht. Ndërhyrjet kanë qenë të suksesshme, por ndryshe mund të thuhet për jetën e pacientëve.

Kujtojmë se vitin e kaluar dy persona iu nënshtruan ndërhyrjeve për transplantin e zemrës, njëlloj organe të modifikuara gjenetikisht të derrit. Të dy pacientët ndërruan jetë javë apo muaj më vonë pas transplanteve.

Orvatjet e shkencës dhe mjekëve vijojnë në këtë fushë, me qëllim shpëtimin e jetëve.

Çdo ditë listave të pritjes për transplantin e organeve nëpër spitale, i shtohen qindra e qindra njerëz anembanë botës. Qindra mijëra janë aktualisht në lista pritjeje, ndërsa dhjetëra ndërrojnë jetë çdo ditë, në pritje të gjetjes së një organi.