“Pa të nuk rrija dot, aq shumë e doja… por e paska dashur Zoti më shumë se unë”
Këto janë fjalët e Xhavitit, një djali 15 vjeçar që sa herë kujton të atin, mbushet me lot e trishtim. Tre vite më parë sëmundja e kancerit i mori jetën babait të tij, ndërsa familja Lika u zhyt edhe më tutje në varfëri.
Bashkëshortja e të ndjerit, Entela, tregoi për “Shqiptarët për Shqiptarët” se jetojnë në varfëri të madhe, ndërsa banesa e tyre e vjetër rrezikon t’i zërë përfund.
“Quhem Entela Likaj, 39 vjeçe, nga Dukasi i Ballshit. Kam dy fëmijë, më ka vdekur bashkëshorti prej 3 vitesh. I mbylli sytë dhe gjithçka për mua mori fund atë natë, m’u bë sterr gjithçka, për mua e fëmijët. Jetojmë keq, shumë keq. Ka minj, gjarpërinj ka shumë. Unë u lutem shumë shqiptarëve, të vënë dorën në zemër, të kem një banesë timen, për fëmijët.”-tregon mes lotëve nëna.
“Pa të nuk rrija dot, aq shumë e doja. Por e paska dashur Zoti më shumë se unë. Na la jetimë, pa bukë. Shumë herë detyrohemi të marrim bukë me listë, nuk kemi të paguajmë. Jetojmë keq, tavani është gati të bjerë, muret janë plasaritur, gati për të rënë, dyshemeja e shkatërruar.”-rrëfen Xhaviti, jetimi 15 vjeçar.
Në banesën e rrënuar të familjes Lika shkuan Sidriti e Meri Bejleri. Të dy panë nga afër gjendjen e rëndë në të cilën jetonin dy jetimët me nënën. Ende pa i treguar surprizën që do t’i ndryshojë jetën, Sidriti u thotë fëmijëve dhe nënës që të largohen për pak kohë nga banesa. Së bashku udhëtojnë drejt një pallati, atje ku familjen Lika e pret dhurata më e madhe e marrë ndonjëherë në jetët e tyre…
Ndiqini këtu momentet prekëse.
Sidriti: Me plot gojën duam t’ju themi… kjo është shtëpia juaj. Kjo është shtëpia juaj
Entela: Po dridhem… nuk di çfarë të them. Zoti ju bekoftë juve, shqiptarëve
Meri: E gëzofshi o Zot.
Sidriti: Zoti ia shpërbleftë donatorit, atij dhe familjes së tij.
Xhaviti: Unë u uroj të gjithëve më të mirat në shtëpitë e tyre, ju falenderoj shumë për ndihmën tuaj.