I shoqi terrorizoi banorët me kallash në Durrës, flet nëna e fëmijëve: Na dhunonte vetëm psikologjikisht

Nëna e dy fëmijëve që u morën peng nga babai 40 vjeçar që terrorizoi një lagje të tërë tek “Shkëmbi Kavajës” duke qëlluar me kallashnikov, ka folur për herë për median.

Bardha Marku deklaroi se ajo sapo ishte kthyer nga Italia dhe se me 40 vjeçarin nuk është ndarë. E pyetur në lidhje me prezumimet për dhunë fizike e psikologjike, 32 vjeçarja ka pranuar se është dhunuar veçse psikologjikisht.

Në lidhje me dyshimet se i shoqi mund të kishte qenë nën efektin e lëndëve narkotike mbrëmjen e djeshme, Bardha Marku thotë se ai nuk ka konsumuar ndonjëherë drogë në prani të saj apo fëmijëve.

Bardha Marku: Unë e mora vesh se më ka marrë Policia e Durrësit sot në mëngjes ngaqë unë kam ardhur mbrëmë nga Italia, nga ora 2 dhe kam ikur nga familja e prindërve sepse thashë që po të vija unë, ai ishte me nerva me mua dhe do u nervozonte situata më shumë, të mos vija në rrezik fëmijët. Dhe kisha vendosur që të vija të nesërmen dhe t’i thoja që “Aleks a do të m’i sjellësh fëmijët vetë me komunikim të rregullt apo që të marrim policinë. Në atë mëngjes më ka marrë policia dhe më ka thënë “hajde se janë fëmija tek komisariati i Durrësit”. E para është shyqyr që më kanë shpëtuar fëmijët. Unë kam qenë 1 javë në Itali me miratimin e Aleksit. Nuk kemi qenë të ndarë, konflikte të vogla po, por të ndarë jo. Në Itali kam shkuar se kam pasur të gjitha dokumentet e fëmijëve ngaqë i kam pasur fëmijët në Itali. Vaksinat m’u deshën tek shkolla e Durrësit sepse m’i kërkonin djalit të vogël. Tani do të kthehemi në Lezhë sepse kemi shtëpinë dhe do fus dhe fëmijët në shkollë në Lezhë.

-Sa i dhunshëm ishte bashkëshorti juaj sepse ju keni bërë 2 denoncime në Lezhë?

Bardha Marku: Ato ishin ngaqë kohët e fundit pinte gjëra kështu dhe kishim frikë duke dëgjuar lajmet e kështu edhe nga frika kam ikur dhe kam bërë denoncimin se kam menduar se do të ndodhte ndonjë gjë. Vetëm na dhunonte psikologjikisht sepse fizikisht jo.

-Si është gjendja e fëmijëve pas ngjarjes?

Bardha Marku: Mirë, kanë pushuar pak. Për të ngrënë kanë ngrënë e për momentin janë mirë. Po na ofrohet ndihmë edhe nga psikologë, kanë qenë 2 sot.

-Ju pse u larguat nga Italia?

Bardha Marku: Ne u larguam nga problemet sepse u bërë këtu, u bë dhe atje.

-Dhe ju vendosët të jetonit në Durrës.

Bardha Marku: Po vendosëm të jetonim në Durrës dhe të bënim jetën normale. 2 javë e gjysëm nuk ka më që kemi ardhur në Durrës. Nuk ka konsumuar alkool dhe lëndë narkotike në sytë tanë.

-Po natën e kaluar sepse policia dyshon që ka konsumuar lëndë narkotike në prani të fëmijëve?

Bardha Marku: Edhe mund ta ketë konsumuar sepse nervoz ishte.

– Kur ju ishit në Itali, a komunikonit me fëmijët në telefon?

Bardha Marku: Shumë pak dhe fare, 2 ditët e fundit fare. Nuk i nxirrte dhe as nuk tregonte vendin ku është sepse kishte frikë.

-Pse i mori peng fëmijët?

Bardha Marku: Jo, peng nuk i ka peng sepse fëmijëve ju ka bërë qefin, me dalë, me kështu. Nuk i ka marrë peng.