Familja e dinte për të vdekur… 45 vjeçari gjendet gjallë 27 vite pasi ishte rrëmbyer në bodrumin e fqinjit

Një histori si ato të filmave, që shtrihet përgjatë 27 viteve të gjata e të dhimbshme. Por pas 27 vitesh, një i ri që u zhduk prej gjirit të familjes së tij në Algjeri, është gjendur së fundmi veçse 100 metër larg shtëpisë së nënës e babait të tij… në bodrumin e fqinjit.

Historia drithëruese ka ndodhur javën e kaluar në Algjeri, atje ku Omar Bin Omran u gjet thuajse 30 vite pas zhdukjes së tij në vitin e largët 1997, kohë kur në Algjeri vijonte Lufta Civile e nisur në vitin 1991.. Familja e tanimë 45 vjeçarit, besonte se Omar ishte vrarë gjatë luftës… por e vërteta ishte krejt ndryshe.

E një të vërtetë të tillë, duket se e ndjente zemra e nënës së Omarit, e cila ndërroi jetë vite para se i biri të gjendej. Ajo kurrë nuk e kishte besuar se i biri kishte vdekur, e para se të ndërronte jetë në vitin 2013, u kishte lënë amanet fëmijëve të saj të tjerë, që të mos reshtnin së kërkuari për të vëllanë e tyre, pasi ajo ishte e bindur se Omar ishte gjallë.

Prej vdekjes së kësaj nëne, u deshën 11 vite, derisa e vërteta doli në dritë. Omar ishte rrëmbyer nga fqinji i tij dhe futur në një bodrum veçse 100 metër larg banesës.

Në kohën e rrëmbimit të Omar bin Omranit, qeni i tij për mëse një muaj kishte qëndruar pranë dyerve të bodrumit, derisa rrëmbyesi e kishte helmuar atë, për të mos rënë në sy.

Por historia e 45 vjeçarit merr një dimension misterioz pasi me gjetjen e tij, shumëkush pyeste se përse i riu nuk kishte tentuar të lirohej apo bënte të ditur prezencën e tij duke bërtitur apo kërkuar ndihmë.

Mbi këtë çështje është pyetur vetë 45 vjeçari, i cili ndodhet në një gjendje shoku mendor dhe nën trajtimin e ekspertëve mjekësorë.

Siç raporton media lokale El Khabar, Omar ishte bindur se rrëmbyesi i tij, një 61 vjeçar, i kishte bërë magji që ia pamundësonte reagimin. 45 vjeçari tregoi se shpesh herë kishte parë të atin teksa i drejtohej xhamisë, por e kishte patur të pamundur të nxirrte zë. Omari tregoi se ai vëzhgohej në mënyrë konstante nga rrëmbyesi.

Për gjetjen e Omarit u bë shkas kërkimi i pareshtur i vëllezërve të tij, të cilët çuan deri në fund amanetin e nënës për të mos ndaluar kërkimet për vëllanë. Siç raporton gazeta lokale, ishin vëllezërit e Omarit të cilët përmes kërkimeve nisën të dyshojnë se i vëllai ishte burgosur nga fqinji. Prej aty ata denoncuan rastin.

Një njoftim i gjykatës mbi rastin shpjegoi:

“Dy ditë më parë, më 12 maj 2024, prokurori publik në Djelfa mori një kallëzim përmes departamentit regjional të xhandarmërisë në El Jadid, ku një person i panjohur pretendonte se i vëllai Omar bin Omran, i cili rezulton i zhdukur prej afro 30 vitesh, ndodhet në bodrumin e një prej fqinjëve të tij. Duke ndjekur këtë raportim, prokurori përgjithshëm në Idrisiya i provincës së Djelfa-s, urdhëroi xhandarmërinë për të kryer një hetim të thelluar. Oficerët u dërguan në banesën në fjalë. Personi i zhdukur u gjet atje ndërsa i dyshuari, pronari 61 vjeçar i shtëpisë, u arrestua”

Historia e 45 vjeçarit rezulton të jetë rasti më i madh i rrëmbimit të një personi, në të gjithë shtetin e Algjerisë. Pas arrestimit të autorit të dyshuar, autoritetet thanë se “përgjegjësi do të gjykohet me ashpërsinë e ligjit.