Hyn me antiplumb në sallë: Gjykata Fierit lë në burg 23 vjeçarin që i mori jetën policit të ‘shqiponjave’

I rrethuar nga forcat e policisë, Azgan Mërnica zbriti nga një prej dy furgonëve që e shoqëruan këtë të premte në derën e gjykatës së Fierit, për caktimin e maës së tij të arrestit.

Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e “arrestit me burg”, ndërsa të riun do ta mbrojë një avokat i caktuar kryesisht. Asnjë avokat nuk ka pranuar vetë që të mbrojë 23 vjeçarin.

Mërnica hyri në gjykatë i veshur me antiplumb, një masë sigurie e cila të lë të kuptosh se autoritetet e kanë gjykuar të nevojshëm shtimin e sigurisë përreth autorit të krimit të rëndë.

Në seancën gjyqësore, ndryshe nga çfarë ndodhi në momentin kur u dorëzua, asnjë familjar i Mërnicës nuk ishte i pranishëm.

Kujtojmë se 23 vjeçari qëlloi me një plumb në kokë oficerin Novruz Cenalia mesditën e 13 majit, në rrugën e fshatit Baltëz të Fierit. 28 vjeçari, pjesë e strukturës së ‘Shqiponjave’, kishte veçse pak ditë që ishte martuar.

Në dëshminë e tij para hetuesve, 23 vjeçari deklaronte:

“Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe i shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina unë nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke”