“E shtrenjta ime, mos u mërzit” Nëna ledhaton të bijën e prekur nga tumori në kokë,  lutet për ndihmë

Reluela është veçse 15 vjeçe.

Ditët janë zgjatur qëkur vajzën e shtroi në spital. Orët janë bërë të rënda, për shpirt të rënda shumë, qëkur mësoi nga mjekët lajmin e hidhur… se vajza e saj ishte prekur nga tumori, se kishte pësuar hemorragji në tru.

Përballë kësaj sprove, Merita fshin lotët dhe futet në dhomën e të bijës. Mundohet të fshehë dhimbjen e saj duke përkëdhelur flokët e ballin e Reluelës, duke i thënë asaj fjalët më të ëmbla.

“Jeta e mamit, drita e syve të mi, shpirti i mamit, e ëmbla ime…mos u mërzit, do të shërohesh, do të shkosh në shkollë, do të rritësh motrën e vogël. Ajo të thërret, më pyet ku është motra, pse nuk po vjen. I ka zënë malli të gjithë për ty o shtrenjta e mamit.”-i thotë nëna të bijës.

Por përtej fjalëve të ëmbla të kësaj nëne, realiteti është shumë herë më i ftohtë. Familja Dokollari, me origjinë nga një fshat i Pogradecit, është dorëzuar para sëmundjes së rëndë që ka vajza e tyre 15 vjeçare. Reluela duhet të niset urgjentisht me avion spitalor drejt Italisë fqinje. Koha rrjedh kundër Reluelës, e cila rrezikon shumë. Një hemorragji tjetër mund të jetë fatale…por si mundet një nënë t’i thotë të bijës, se jeta e saj qëndron në fije të perit?!