Pamjet video, momentet e fundit të 40 vjeçares dhe çasti kur përballet me ish burrin që i mori jetën

Një kamera sigurie pranë vendit të ngjarjes ku u vra Enkelejda Danaj, ka regjistruar momentet e fundit të së ndjerës dhe çastin kur i shoqi që i bëri pritë, i del përpara dhe e godet të paktën 10 herë me thikë.

Protothema ka publikuar së fundmi videon, ku dallohet sesi 50 vjeçari Eduart Danaj ecën përreth kryqëzimit mes dy rrugëve në Menidi, atje ku ai priste të kalonte ish e shoqja. Me të pikasur 40 vjeçaren, Danaj fillon të ecë drejt saj dhe kryen krimin makabër.

Ngjarja e rëndë ndodhi të martën (14 maj) në orët e mëngjesit. 50 vjeçari e dinte se ish e shoqja do të dilte herët nga banesa dhe kësisoj i ka bërë pritë në rrugë, i armatosur me thikë. Danaj pranoi para hetuesve sesi e kishte organizuar vrasjen, ndërsa më pas shpjegoi se iu drejtua një hoteli në këmbë. Më tutje 50 vjeçari ka blerë disa birra dhe është dehur.

Një tjetër kamera sigurie ka filmuar momentin kur ai hedh në plehra një qese të mbushur me kanace me birra.

50 vjeçari pritet të dalë para gjykatës të hënën në mëngjes, ndërsa përballet me të paktën 3 akuza të rënda penale.