“Pse kalon shpejt para shtëpisë sime” 34 vjeçari në Durrës plagos me armë kushëririn 24 vjeçar

Mbrëmjen e djeshme një 33 vjeçar qëlloi me armë një 24 vjeçar në fshatin Shënavlash të Durrësit, duke e lënë të plagosur në këmbë. 33 vjeçari i quajtur Ilir Buçeza më tutje u arratis ndërsa i riu përfundoi në spital.

Policia ka shpallur në kërkim autorin, ndërsa tanimë ngjarja është zbardhur. Autori dhe i lënduari janë djem xhaxhallarësh, ndërsa sherri mes të dyve ka nisur për arsye krejt banale, siç kanë mësuar autoritetet.

Debati ka nisur mes të dyve pasi 33 vjeçari akuzonte kushëririn pse i kishte kaluar me shpejtësi me makinë para shtëpisë së tij.

Sherri është zhvilluar në oborrin e banesës së 24 vjeçarit në fshatin Shënavlash, ku 33 vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar kushëririn 3 herë. Njëri plumb e ka kapur në këmbë të riun.

Njoftimi:

Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi Eduart Buçeza, 24 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Durrës, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, në oborrin e banesës së 24-vjeçarit, në fshatin Shënavlash, ku në drejtimin e prokurorit, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit.          

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi Ilir Buçeza, 33 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, djalin e xhaxhait të tij, shtetasin Eduart Buçeza, i cili vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve”, njofton policia.