“Zotin falenderoj që më bëri të gjej fëmijën” 62 vjeçari hyn në banesën e mbuluar nga flakët, shpëton foshnjen

Një burrë nga Klivland (Cleveland-SHBA) është kthyer në heroin e të gjithë komunitetit atje, pasi arriti t’i shpëtojë jetën një fëmije të mitur i cili kishte mbetur në banesën e përfshirë nga flakët.

62 vjeçari i quajtur Xhon Stikoviç sapo kishte dalë për t’u nisur në pnë, kur rrugës pa një banesë të mbështjellë nga tymi e flakët. Burri pa vërdallë dhe nuk dëgjoi asnjë sirenë zjarrfikësish. Iu afrua banesës dhe aty pikasi një grua që mbante në krahë fëmijën e saj.

“Nëna ishte ulur në bar dhe në krahë kishte fëmijën e saj. E pyeta nëse ishte mirë dhe ajo më tha ‘kam fëmijën tjetër në banesë’. Me vete aty thashë, ‘o Zot i madh, duhet të shkoj ta shpëtoj atë fëmijë’… dhe ashtu bëra”-tregoi 62 vjeçari për median vendase.

Xhoni nisi të shohë për një mundësi për të hyrë në shtëpinë e përfshirë nga flakët. Fillimisht tentoi të shkelmojë derën kryesore, por pa fat. Më tutje ai mundi të hyjë përmes derës së pasme, ku u përballë me tymin mbytës e zjarrin që kishte mbuluar godinën. 62 vjeçari tregoi se u shtri në tokë dhe nisi të zvarritet, por foshnjen nuk po e shihte.

Më tutje 62 vjeçari del sërish jashtë dhe pyet gruan se ku ndodhej ekzaktësisht fëmija saj. Ajo i tregon se e kishte lënë pranë koshit pak metra larg kuzhinës. 62 vjeçari vrapon sërish mes flakëve dhe nis të zvarritet. Fatmirësisht ai dëgjon të qarat e foshnjes dhe duke zgjatur duart, arrin t’i kapë njërën këmbë fëmijës të cilin më tutje e merr në krahë.

“Ishte jetë a vdekje për atë fëmijë dhe hyra sërish. Po zvarritesha. Kur dëgjova ulërimat e foshnjes u çova e vrapova drejt tij. E kapa nga këmba dhe dola me sa shpejtësi kisha. Pjesa e parme e shtëpisë kishte rënë, por ia arrita. Zotin falenderoj që më bëri të gjej atë fëmijë.”-rrëfeu i moshuari.

Ndihem shumë mirë që arrita t’i shpëtoj jetën atij fëmijë. Ajo nënë nuk do të ketë pse të mbajë zi, fëmija jeton. Shumë më kanë thënë sesa punë të mirë bëra, por them se do e bëja këtë gjë për këdo… ashtu siç shpresoj se edhe dikush tjetër do ta bënte këtë gjë për mua”-përfundoi rrëfimin e tij 62 vjeçari.