Shkup: Vritet këngëtari shqiptar Amar Ismani

Një 29 vjeçar shqiptar, këngëtar e bloger i njohur në Maqedoninë e Veriut, ka mbetur i vrarë orët e para të së hënës në Shkup pas një përleshje të armatosur.

Viktimë mbeti Amar Ismani, ndërsa motivi i përplasjes me armë mbetet ende një mister.

Ngjarja ndodhi në rrugën e ‘Plastikave’ në Shkup rreth mesnatës së të dielës, ku dhjetëra forca policie rrethuan zonën.

Amar Ismani u dërgua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë prej plagëve një orë më vonë. Në lidhje me rastin reagoi Ministria e Brendshme e RMV-së.

 “Në ora 23:45 nga Spitali i Përgjithshëm i qytetit “Shën Naum Ohri” është njoftuar se me plagë nga arma e zjarrit është sjellë T.A. (24 vjeç) nga Shkupi. Në orën 23:51, nga Kompleksi i Klinikës “Nënë Tereza” është raportuar se me plagë me armë zjarri i janë sjellë O.B (19) dhe Amar Ismani (29 vjeç), ku pas ndihmës së dhënë, në orën 00:45. më 27/05/2024, Amar Ismani ka vdekur”, thonë nga MPB.

Autoritetet ndërkohë kanë nisur hetimet. Një sërë gjurmësh të marra nga vendi i ngjarjes i janë dërguar ekspertizës për të zbuluar autorët e krimit.

“Të Allahut jemi dhe tek ai do kthehemi”

Në lidhje me vrasjen e 29 vjeçarit reagoi vëllai i këtij të fundit. Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Edin Ismani shkroi:

“Të Allahut jemi dhe tek ai do kthehemi. Me zemër të thyer e të pikëlluar ju njoftoj se ka ndërruar jetë djali/vëllai jonë Amar Ismani. Ceremonia e varrimit do të bëhet sot me namazin e Iqindis në xhamin e Cairit, dhe pastaj te varrezat në Butel”