Pakistan, 52 gradë celsius në fund të muajit maj

Temperaturat u ngritën në mbi 52 grdë celsius në provincën jugore të Sindh-it në Pakistan, ndërsa banorët atje bëjnë ç’të munden për të përballuar vapën e madhe.

Reuters shkruan se të tilla temperatura që kanë kapluar zonat atje në këtë fund maji, janë ndër më të lartat të regjistruara në muajt e verës dhe fare pranë rekordit më të lartë të të gjithë Pakistanit.

Termometri shërnoi 52.2 gradë në një qytezë të quajtur Mohenjo Daro, e cila është e njohur për sitet arkeologjike që i përkasin civilizimit të Luginës së Indusit. Civilizimi në fjalë daton në vitet 2500 para erës sonë, me fjalë të tjera afro 4500 vite më parë.

Në zonën në fjalë të gjitha dyqanet e bizneset u mbyllën në orët e pikut të vapës, ndërsa banorët atje tregojnë se po mundohen të përballojnë vapën.

“Bëj dush disa herë në ditë dhe ato më japin njëfarë lehtësimi. Këtu tani mungon dhe energjia elektrike dhe vapa na e ka vështirësuar jetën”-tregon Valid Ali për Reuters, një 32 vjeçar që ka një bar që shërben çaj.

Një doktor lokal i zonës i quajtur Mushtak Amhed tregoi për Reuters se banorët e zonës janë mësuar disi me kushtet ekstreme të motit në provincë dhe kur vjen vapa nuk dalin.

“Pakistani është vendi i pestë në botë që është prekur më ndjeshëm nga ndryshimet e klimës. Ne jemi bërë dëshmitarë të esktremeve të motit, përfshi dhe reshjet anormale të shiut e përmbytjet”-tregoi koordinatorja e kryeministrit për klimën.

Temperatura më e lartë e regjistruar në Pakistan ishte në vitin 2017, ku termometri kapi 54 gradë celsius në qytetin e Turbatit, në jugperëndim të vendit. Kjo temperaturë ishte e dyta më e lartë në të gjithë Azinë dhe e katërta temperaturë më ekstreme, e regjistruar në të gjithë globin.