Program 2.5 miliardë dollarë për “mburojën lindore”, Polonia përgatitet për luftë

Polonia duket se po përgatitet për një luftë. Mbi dy vite pas nisjes së luftës në Ukrainë, qeveria e polonisë ka bërë gati planet për të shpenzuar plot 2.2 miliardë dollarë në forcimin e kufirit të saj lindor mes Bjellorusisë dhe Rusisë.

Ministri i Mbrojtjes Vladislav Kosniak-Kamiz (Wladyslaw Kosiniak-Kamysz) tha të hënën se qeveria e Polonisë do të nisë punën për të krijuar “mburojën lindore”.

Plani konsiston në ndërtimin e fortifikimeve të shumta përgjatë kufirit, ngritjen e sistemeve të reja të telekomunikacionit dhe bashkërendimin e punës me shtetet e tjera aleatë të NATO-s në kufirin lindor të aleancës, konkretisht me Finlandën dhe vendet baltike (Letonia, Lituania dhe Estonia).

“Ne gjithashtu do të blejmë dhe implementojmë sisteme kundër-zbulimi dhe sisteme anti-dronë. Ky do të jetë operacioni më i madh për forcimin e kufirit të Polonisë që prej vitit 1945”-tha Ministri i Mbrojtjes së Polonisë gjatë prezantimit të planit.

Zv.Ministri i Brendshëm Çezari Tomçik (Cezary Tomczyk) tha se investimet do të nisin në fillim të 2025-sës dhe do të përfundojnë deri në vitin 2028. Polonia shpreson se disa prej projekteve të saj për ‘mburojën lindore’ do të mbulohen edhe nga fondet e BE-së.

Më parë qeveria e polonisë ngriti një gardg të lartë 5.5 metra përgjatë një vije kufitare prej 180 km me Bjellorusinë, për t’u mbrojtur nga emigrimi ilegal. Kjo pjesë e kufirit është e pajisur me sisteme kamerash e sensorësh që monitorojnë të gjithë zonën.

Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, Polonia ka qenë një ndër shtetet e para të unionit që ka paralajmëruar për rrezikun e zgjerimit të luftës nga ana e Rusisë.

Burimi: Reuters