U nis mes lotëve dhe e sëmurë… Diana vogël rikthehet në atdhe e shëruar, na dhuron këtë buzëqeshje

Në fundin e muajit mars, “Shqiptarët për Shqiptarët” përcolli historinë  e dhimbshme të një vogëlusheje veçse 11 muajshe. Diana vogël ishte prekur nga një sëmundje e rëndë. Në atdhe shpresat për kurimin e saj ishin të pakta, njëlloj si mundësitë e familjes e cila u lut për ndihmën e shqiptarëve bamirës.

Fondet për kurimin e Dianës u bënë të mundura brenda një kohe rekord dhe vogëlushja u nis për kurim drejt Italisë fqinje.

Së fundmi një lajm i mirë na vjen, pasi Diana është kthyer në atdhe. Falë Zotit e shqiptarëve zemërmirë, sot në sytë e Dianës nuk ka më lot. Në aeroportin e Rinasit vogëlushen dhe nënën e saj e priti Fatma Naçi e Meri Bejleri, siç mund ta shihni dhe në fotot e mëposhtme.