“Më preu rrugën një makinë”… kamerat nxjerrin zbuluar shoferin e furgonit të pasagjerëve

Video e mëposhtme tregon momentet kur një furgon me pasagjerë del nga rruga dhe batohet në bypass-in e Rrugës së Arbrit në Dibër. Ngjarja ndodhi mesditën e të martës, ndërsa shoferi 55 vjeçar u tha policëve se një makinë i kishte prerë rrugën.

Por pamjet e kamerave e kanë fiksuar momentin e aksidentit, dhe qartësisht furgonin me pasagjerë nuk e ka penguar asnjë automjet tjetër. Furgoni me pasagjerë lëviz në rrugë dhe më tutje krejt papritur del prej saj, duke rënë në anë.

Si pasojë e aksidentit disa prej pasagjerëve janë lënduar. Njëri prej tyre vijon ende të jetë në spital.

“Specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin A. L., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”. Mesditën e djeshme, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit, furgoni që drejtonte 55-vjeçari (automjet për transport ndërqytetas të qytetarëve) ka dalë nga rruga dhe si pasojë janë dëmtuar pasagjerët në këtë automjet”.

Njëri nga të dëmtuarit vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të tjerët pasi kanë marrë shërbimin mjekësor, janë larguar në banesa. Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale për aksidentin, shtetasi A. L. ka dhënë deklarim të rremë, se një automjet tjetër i kishte ndërprerë rrugën dhe ishte bërë shkak për këtë aksident”, tha policia e Dibrës në një njoftim për mediat.