Historia përlotëse e 7 vjeçares, nisi të shesë lemonada për t’i bërë varrin nënës së ndjerë

Emouri Xhonson është veçse 7 vjeçe. Tanimë ajo jeton me gjyshen, pasi pak javë më parë një tragjedi e madhe ia ndryshoi jetën. Nëna e saj, e quajtur Karli, ndërroi jetë papritur në moshën 29 vjeçare. E mitura jetonte e vetme me nënën pasi kjo e fundit ishte ndarë nga i shoqi.

Herën e parë që vogëlushja shkoi në varreza për të vizituar të ëmën, ajo nuk mund ta kuptonte se përse të gjitha varret e tjera kishin koka, ndërsa varri i nënës së saj veçse një kornizë të vogël metalike ku shkruhej emri mamasë. Gjyshja i shpjegoi se ata nuk kishin para momentalisht për t’i bërë një varr të duhur 29 vjeçares.

Kësisoj, 7 vjeçarja mendoi të bëjë diçka… të nisë një ‘biznes’ të sajin për të mbledhur para për një varr dinjitoz për të ëmën.

“Nisa të shes lemonada”-tregoi vogëlushja për CBSnews.

Fillimisht 7 vjeçarja nuk e bëri të ditur se po shiste lemonadë për varrin e nënës, por shumë shpejt, i gjithë komuniteti mësoi për historinë e saj tragjike. “Çuditërisht” dhjetëra e qindra njerëz në Skotsboro të Alabamës, ishin të ‘etur’ për limonadë. Çdo ditë pranë vogëlushes vinin njerëz që blinin lemonadën e saj që kushtonte veçse 1 dollarë.

“Një ditë bëra 300 dollarë”-rrëfeu vogëlushja.

Ditët kaluan dhe ata që vinin për të ndihmuar vajzën vetëm shtoheshin. 7 vjeçarja mundi të mbledhë plot 15 mijë dollarë, para të cilat do të shkojnë si kursime për të ardhmen e saj… sepse varrin e nënës së vogëlushes, e mori përsipër ta kryejë një kompani, falas.