Zbardhet motivi pse u godit avokati Sokol Mëngjesi: Kush janë 4 autorët, njëri vetëdorëzohet

Policia e kryeqytetit ka zbardhur shkakun përse këtë mëngjes në zonën e ish-bllokut, avokati Sokol Mëngjesi u sulmua dhe u godit me sende të forta nga tre persona. Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj shpjegoi se avokati është goditur për shkak të detyrës së tij, posaçërisht për një çështje civile për prona.

Sokol Mëngjesi ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Apel, një familje që trashëgonte një pronë në Tiranë. Procesi civil është fituar nga pala e përfaqësuar prej avokatit Mëngjesi. Por duket se disa trashëgimtarë nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore. Sipas policisë ky rezulton të jetë motivi se përse avokati është rrahur barbarisht nga 3 persona, ndërsa një i katërt i priste në makinë.

“Nga veprimet hetimore rezulton se avokati Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës. Rezulton se Mëngjesi ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Gjykatën e Apelit një familje, që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë. Ky proces është fituar nga pala e përfaqësuar nga avokati. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës të nënshkruar me studion ligjore “Alderum Shpk”. Është shoqëruar edhe shtetasi Dritan Jani Nano, i dyshuar si organizator i ngjarjes kriminale. Materialet do kalojnë në Prokurori për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 77/a dhe 22 të Kodit Penal”, deklaroi kryepolici i Tiranës, Tonin Vocaj.

Autorët janë identifikuar të gjithë dhe janë familjarë e në krushqi me njëri- tjetrin. Të akuzuarit për dhunë janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia. Romario Tabaku ndërkohë, është personi i katërt që i ka ndihmuar autorët për t’u larguar me makinë.

Policia e kryeqytetit dyshon se organizator i kësaj ngjarje është një 58 vjeçar i quajtur Dritan Nano, i cili është shoqëruar tanimë nga autoritetet.

Një prej autorëve të dyshuar të dhunës, Dorian Alia, është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës.

Kujtojmë se Sokol Mëngjesi është një ndër përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie.

Avokati ndodhet në spital dhe ka pësuar lëndime serioze në pjesën e kokës.