Gjykata në Nju Jork ka shpallur si të fajshëm për falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij ish- Presidentin Donald Trump, një verdikt që cakton të parin precedent në historinë e Shteteve të Bashkuara, ku një President apo ish-President dënohet për një krim.
Gjykata e shpalli fajtor Trump-in për 34 akuzat e ngritura të cilat kanë të bëjnë falsifikime dokumentash me qëllim mbulimin e një serie pagesash të kryera nga Trump që nga viti 2016, përfshi këtu edhe pagesa ndaj një ish-pornostareje (Stormy Daniels) që kjo e fundit të kyçte gojën për relatat intime të prezumuara mes të dyve. Shumë prej këtyre falsifikimeve ndodhën para dhe në kohën kur Trump kandidonte për President.
Masa e dënimit për Trump-in pritet të jepet më 11 qershor, vetëm disa ditë para se Republikanët të vendosin se cili do të jetë kandidati i tyre për President në zgjedhjet e këtij nëntori.
Pas shpalljes si i fajshëm për mashtrim/falsifikim me dokumentet, Trump deklaroi para mediave se gjyqi ishte një farsë e madhe. Avokatët e tij pohuan se do ta apelojnë vendimin. Një apel do të shtynte në kohë shqiptimin e një dënimi për ish- Presidentin. Gjykatësi mund ta dënojë Trump-in me dënim me kusht ose më burg për secilën pikë të aktakuzës. Shumë ekspertë gjykojnë se për shkak se Trump nuk ka dënime të mëparshme, gjyqtari mund të vendosë për dënimin me kusht ose gjobë.
Pavarësisht shpalljes si i fajshëm në këtë proces civil, dhe pavarësisht asaj që do të ndodhë me apelimin e çështjes, Trump mund të kandidojë në garën presidenciale të nëntorit kundra Presidentit Joe Biden.
Profesori i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë, Richard L. Hasen, një prej ekspertëve më të dalluar atje për ligjet zgjedhore, ka thënë vazhdimisht se asgjë në Kushtetutën e SHBA-së nuk ia ndalon një personi të dënuar pjesëmarrjen në garë për postin më të lartë të vendit.
Nga ana tjetër, sesa do të ndikojë shpallja fajtor e Trump-it në zgjedhjet e afërta presidenciale, kjo mbetet për t’u parë në javët e muajt në vijim.